Gjashtë gjyqtarët e parë, të emëruar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kanë filluar sot punën të drejtuar nga Sandër Simoni, ish-gjyqtar penalist në Gjykatën e Rrethit Shkodër. Puna ka filluar dhe për gjyqtarët e krimeve të rënda, shkalla e apelit, nën drejtimin e Gjovalin Përnocës. Në mugesë të një godine të veçantë për funksionimin e kësaj gjykate, gjyqtarët e parë kanë filluar punë në disa ambiente të Gjykatës së Tiranës dhe Gjykatës së Apelit. Pritet që pas datës 20 janar Këshilli i Lartë i Drejtësisë të zgjedhë dhe 16 gjyqtarë të tjerë për krime të rënda. Gjyqtarët, që kanë filluar punën, janë në pritje të dosjeve, që do të vijnë për gjykim, nga Prokuroria e Përgjithshme, ku dhe aty, është komanduar Adnan Kosova si prokuror për krimet e rënda. Burime nga prokuoria bëjnë të ditur se dosja e parë, që mund të shkojë për gjykim, është ajo e vrasjës së priftit spanjoll, Bernard Joakim, e ndodhur në maj të viti 2000. Krimet që do te shyrtohen nga kjo gjykatë janë: krime lufte, atentate, kryengritje, vrasje me paramendim dhe në rrethana rënduese, vepra të bandave të armatosura dhe organizatave kriminale. Gjithashtu do të gjykohen dhe krime të rënda kundër personit si: rrëmbime, pengmarrje, dhunime seksuale dhe vjedhje me pasojë vdekjen. Trafiku i drogës dhe i qenieve njerëzore konsiderohet si objekt i gjykimit të kësaj gjykate. Për hetimin e këtyre çështjeve do të punojnë gjithashtu grupe të posaçme prokurorësh dhe hetuesish, të cilët priten të zgjidhen po nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë./tvklan.al