Në samitin e NATO-s në Washington Kryeministri Rama ishte pjesëmarrës në pritjen e veçantë që presidenti Biden u bëri krerëve të shteteve të Aleancës. Rama u pa krah liderëve të tjerë në këtë samit që shënon edhe 75-vjetorin e organizatës. Po ashtu kryeministri Rama ka diskutuar me bashkëkryetarët e Grupit vëzhgues të NATO-s në Senat, demokratja Jean Shaheen dhe republikani Thom Tillis për përkushtimin e SHBA-se në nivel dypartiak ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ata diskutuan për mënyrat se si Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Senatorët vlerësuan kontributet e vendeve ballkanike që janë anëtare në NATO, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe rolin e tyre ndaj stabilitetit rajonal.
“Ne kemi mundësinë të demonstrojmë përkushtimin tonë ndaj Ballkanit Perëndimor duke mbështetur përparimin e secilit nga këto vende drejt anëtarësimit në BE, gjë që do të ndihmonte që aleanca jonë transatlantike të arrijë stabilitet rajonal dhe global”, tha Senatorja Shaheen.
“Uniteti ynë i palëkundur është një shprehje e qartë e vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara për të mos frenuar përpjekjet për të minuar paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ajo.
Si bashkëkryetarë të Grupit Vëzhgues të NATO-s, Senatorët Shaheen dhe Tillis kanë drejtuar përpjekjet dypartiake në Senat në mbështetje të Aleancës transatlantike.
Ata kanë bërë thirrje për një rikonfirmim të angazhimit të SHBA-së ndaj NATO-s. Po ashtu kryeministri Rama ka takuar ne Washington edhe presidenten kosovare Vjosa Osmani ku është diskutuar zgjerimi i bashkëpunimit ndërshqiptar.
Ky takim i nivelit të lartë të Aleancës Veriatlanike, në 75-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit për themelimin e saj po mbahet në një kohë sfidash edhe për paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Klan News