Ka nisur punimet sesioni i VII i legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë nën drejtimin e Elisa Spiropalit. Në fjalën e parë para deputetëve, Spiropali ftoi kolegët e të gjitha forcave politike për bashkëpunim dhe mbrojtjen e pikëpamjeve të ndryshme me etikë parlamentare.


“Në ballafaqimin e ardhshëm elektoral, secili nga ne do të shkojë me bilancet e veta politike. Reflektimi duhet të jetë i përbashkët mes nesh, një reflektim që përfshin edhe qortimin e së shkuarës, edhe projeksionet për të ardhmen. T’i mbrojmë deri në fund pikëpamjet tona duke respektuar institucionin e Kuvendit të Shqipërisë dhe qytetarët që na kanë votuar e na ndjekin. Debati që bën çdo Çelo me apo pa mustaqe, ne do të detyrohemi të heshtim. Opozita të mbajë përgjegjësitë.

Debati dhe jo beteja, ndeshja e paprerë si të ndryshëm në ide, por të barabartë në të drejta, është rruga e vetme drejt të cilës ne do të detyrohemi të ecim. Gjithëpërfshirja dhe garantimi i legjitimitetit demokratik në këtë proces, prioritet absolut për të gjithë, ku nuk ka vend për dallim mes të majtës dhe të djathtës. Besoj fort në një qasje tjetër të ballafaqimit tonë. Ka ndryshuar edhe nevoja për atë që politika duhet të afrojë. Më pak se çdo gjë, ka ndryshuar mendësia e të bërit politike, që ka mbetur ende në llogoret e viteve ’90, por fatmirësisht e pashoqëruar nga entuziazmi i asaj kohe.”

Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si prioritet procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

“Gjykoj se mund të nënvizoj si ftesë e lutje për një mundësi tjetër më shumë, për të qenë bashkë në identifikimin e disa prioriteteve që duhet të realizojmë deri në fund të kësaj legjislature. Për të bërë punë të mira, s’mund të humbasim më asnjë minutë. Lidershipi i Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE, gjithëpërfshirja dhe legjitimiteti demokratik është prioritet absolut. Duke nisur me Këshillin Kombëtar Europian dhe Komisionin për Çështjet Europiane që do kenë gjithë mbështetjen time. Do të vijojmë bashkëpunimin me Parlamentet e vendeve mike e partnere. Dy komisionet e posaçme do vijojnë punën, për thellimin e reformave për mirëqeverisje dhe atë për të koordinuar e mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale e për të luftuar dezinformimin.”

Në rend dite këtë të Hënë janë miratimi i procesverbaleve të seancës plenare të datës 25, 26 dhe 30 Korrik, si dhe njoftimi i çështjeve të depozituara.

/tvklan.al