Presidenti Bujar Nishani priti në një takim Zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Gianni Pittella dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Kreu i shtetit i shprehu mirënjohjen e Shqipërisë ndaj rolit dhe qëndrimit të Parlamentit Evropian si dhe atë personal të zotit Pittella në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky vlerësim bazohet tek njohja e arritjeve dhe meritave të Shqipërisë si dhe tek inkurajimi i reformave të ndërmarra.
Për presidentin Nishani marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin qershor është pjesë e përmbushjes së aspiratës madhore, objektivit dhe alternativës së vetme të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.
Kreu i shtetit tha se në rrugëtimin drejt unionit vendi ndodhet përpara sfidave, mes të cilave renditi reformën në drejtësi, që sipas tij duhet të bazohet dhe reflektojë tre kolona kryesore: transparencën, efiçencën dhe pavarësinë e sistemit.
Ndaj sipas presidentit Nishani Shqipëria është para një prove të rëndësishme që ka të bëjë me ruajtjen e integritetit kushtetues të institucioneve të pavarura.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se marrja e statusit do të shënonte një hap të mëtejshëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe se integrimi i Shqipërisë, por edhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do t’i shërbente edhe më shumë stabilitetit, forcimit të demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të këtij rajoni, duke vlerësuar njëkohësisht qëndrimin pozitiv të Shqipërisë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, paqe dhe stabilitet me vendet e rajonit.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, u prit dhe nga kryeminsitri Edi Rama. Pas takimit zoti Pitela ftoi klasën politike të ecë përpara me reformat e nisura me qëllim marrjen e statusit në muajin qershor.
Kryeministri Rama vlerësoi në mënyrë të veçantë ndihmën dhe kontributin e dhënë nga Zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian në procesin intergrues të Shqipërisë.