Misteri i fundosjes së papritur të jahtit lukzos Bejzian, në pronësi të familjes së manjatit britanik të teknologjisë Majk Linç pranë brigjeve të Palermos, ku humbi jetën ndër të tjerë edhe ai vetë ka bërë që autoritetet italiane të nisin menjëherë hetime.
Hetuesit italianë duan të kuptojnë fillimisht se si kushtet atmosferike që dyshohen si shkak i ngjarjes, arritën të fundosnin një prej jahteve luksozë më të sigurtë të botës që arrin një vlerë prej 35 milionë Eurosh.
Pikëpyetje të shumta ngrihen për faktin se viktima mbetën Majk Linç dhe njerëzit dhe miqtë e tij më të rëndësishëm si Xhonatan Blumer, presidenti i bankës së madhe ndërkombëtare Morgan Stenli, ndërsa 15 të ftuarit e e tjerë në bord shpëtuan.
Kapiteni i jahtit Xhejms Katfilld që arriti të shpëtojë u tha hetuesve se gjithçka ndodhi aq papritur dhe shpejt, saqë askush nuk e kishte parë stuhinë të afrohej.
Ekspertë të tjerë kanë shprehur habinë për mediat italiane se si nga një stuhi e papritur u fundos një jaht që konsiderohej i pambytshëm.
Numri i viktimave të konfirmuara ka arritur në 6, pas nxjerres të Mërkurën të 5 trupave të tjerë, ndërsa e pagjetur mbetet vetëm vajza 18-vjeçare e Majk Linçit.
Tv Klan