“Millenium 2”, kështu do të quhet kinemaja e re që do të ngrihen në ish kinemanë e qendrës kulturore të fëmijëve, pranë ish residencës së Mbretit Zog. Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve Edi Rama dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Limpreht, sëbashku me përfaqësues të shoqërisë investitore “IDA”, kanë inaguruar sot fillimin e këtyre punimeve.
Mjedisi modern parashikon ngritjen e sallës së re, ndërkohë që ambientet e tjera të kësaj ngrehine do të shërbejnë për tregtimin e librit dhe videokasetave origjinale. I gjithë investimi kap shifrën e 300 mijë dollarëve. Në përshëndetjen e këtij inagurimi, Ambasadori i SHBA Limpreht ka uruar Bankën Europiane për Zhvillim dhe Rindërtim, si dhe investitorët e shoqërisë “IDA” për rindërtimin e kinemave Millenium në vendin tonë.
Ai është shprehur se në këtë rast vlen të përmendet edhe e drejta e autorit e cila po ruhet më së miri për ardhjen e filmave hollivudiane në Shqipëri. Ndërsa ministri i Kulturës Edi Rama e ka cilësuar restaurimin e kësaj ndërtese të degraduar si një mundësi më tepër për t’i shërbyer argëtimit në Tiranë./tvklan.al