Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur punimet për ndërtimin e një fushe të re në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Fusha e re, do të jetë me bar natyral dhe do të shërbejë për Europianin U-17, që do të zhvillohet këtë vit në Shqipëri. Gjithashtu ajo do të jetë edhe për stërvitje të ekipeve Kombëtare dhe turne të ndryshme të organizuara nga FSHF-ja.
Punimet për fushën e tretë brenda ambienteve të “Shtëpisë së Futbollit” po vijojnë me ritme të larta dhe pritet të përfundojnë së shpejti.
Dy fushat me bar natyral në “Shtëpinë e Futbollit” do të përdoren për tu përgatitur edhe nga ekipet Kampionatit Europian U-17, një ngjarje historike që do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n nga data 19 Maj deri më 1 Qershor 2025.
Federata e Futbollit po punon për të përmbushur çdo kusht të vendosur nga UEFA, me synimin e vetëm për të organizuar Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025” në mënyrën më të mirë të mundshme.
Ky event do ta vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare për disa ditë me radhë, duke shërbyer si një mundësi e shkëlqyer për promovimin e vendit dhe futbollit shqiptar. /tvklan.al