Kryeministri Edi Rama ishte në Berat ku inspektoi disa nga kantieret e ngritura në zona të ndryshme të qytetit dhe që pritet t’i japin një tjetër hov zhvillimit ekonomik, por edhe turistik të të gjithë zonës.
Ndalesa e parë ishte në tregun e gjelbër, i cili po ngrihet ne hyrje të qytetit në një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë.
“Këtu parashikojmë të kemi të instaluara 120 poste për fermerët. Ne mendojmë që është aset i shtuar edhe për vetë turizmin, sidomos me produktet e jashtëzakonshme që ka qyteti i Beratit”, shpjegoi kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo.
Ndalesa e radhës ishte në sheshin kryesor të Beratit, i cili së bashku me fasadat e ndërtesave, parkimin nëntokësor dhe rrugën antipatrea sigurojnë një transformim rrënjësor të qendrës së Beratit.
“Kjo është një rilindje e Beratit, e paimagjinueshme pak vite më parë. Sot vetëm në zonën historike të qytetit, në qendrën muzeale, Mangalem, Goricë dhe Kala janë më shumë se 35 bujtina që janë duke u ndërtuar”, tha kryebashkiaku.
Ashtu siç ka bërë edhe në shumë projekte të tjera transformuese, edhe në Berat kreu i qeverisë nuk harroi që të sugjerojë ndryshime sipas shijeve të tij.
Të njëjtën gjë bëri edhe në një tjetër projekt të rëndësishëm që po finalizohet në Berat dhe që është ai për ndërtimin nga e para të gjimnazit simbol të qytetit, “Babë Dudë Karbunara”.
Një tjetër projekt që po zhvillohet në Berat është edhe ai i ndërtimit të urës që lidh një pjesë të zonave rurale me qytetin dhe që pritet të afrojë më tepër produktet bujqësore me tregun dhe qytetin.
Tv Klan