Ndërtimi i rrugës Durrës -Morinë dhe realizimi sa më shpejt i segmentit, që ka nisur të ndërtohet me ndihmën e forcave xheniere, përbën një nga sfidat e qeverisjes socialiste ndaj dhe shefi i ekzekutivit Fatos Nano, gjatë vizitës së tij në verilindje të Shqipërisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të infrastrukturës.
Kryeminstri Nano ka parë nga afër punimet e segmentit Milot-Rrëshen që ka një gjatësi prej 26 km dhe që priet të përfundojnë deri në vitin 2006. Sipas tij, qeveria është në përfundim të negociatave me Bankën Botërore për të siguruar fondet që mundësojnë dhe realizimin e pjesës së dytë të segmentit. Për kryeministrin shqiptar rruga Durrës -Kukës -Morinë ka një rëndësi të jashtëzakonshme veçanërisht për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit.
Fatos Nano: “Të bëjmë të gjitha përpjekjet, të marrim të gjitha masat dhe të programojmë më mirë të gjjitha burimet dhe ndërhyrjet, në mënyrë që ritmet e ndërtimit të kësaj rruge vitin tjetër të përshpejtohen dhe afatet e përfundimit dhe të inaugurimit të saj të mos shkojnë më larg sesa viti 2006.”
Në Rrëshen kryeministri mori pjesë në ceremoninë e 60 vjetorit të çlirimit të qytetit, por në këtë takim nuk kanë munguar dhe replikat mes kryetarit demokrat të Bashkisë dhe kryeministrit për situatën e investimeve në qytet. Nga ana tjetër, kryeministri Nano ka kërkuar nga socialistët e Mirditës fillimin e përgatitjes së strukturave për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. /tvklan.al