Qendra kombëtare e transfuzionit të gjakut nuk ka gjak të mjaftueshëm për të përballuar nevojat e pacientëve që marrin gjak në mënyrë sistematike.
Sipas drejtoreshës së kësaj qendre dhurimi vullnetar mbetet mundësia më e mirë për të plotësuar nevojat për gjak.
Irena Qendro: “Gjatë verës ne kemi pamjaftueshmëri në gjak më shumë sesa gjatë muajve të tjerë. Pamjaftueshmëria në gjak në vendin tonë është e vazhdueshme, është gjithë vjetore”.
Mungesa e gjakut ka ndikuar negativisht në shëndetin e fëmijëve talasemikë, të cilët nuk kanë mundur të marrin sasinë e nevojshme të gjakut, ndërsa në shumë raste dhuruesit kanë qenë familjarët e tyre.
Musa Zeneli: “Gjaku ka munguar vazhdimisht. Nga 1 Janari, 31 Dhjetor pacientët vazhdimisht kanë marrë rreth 50% të nevojave që kanë”.
Thirrjes për të dhuruar gjak në mënyrë vullnetare i janë përgjigjur gazetarë të mediave të ndryshme.
Sonila Cenymeri: “Ne jemi mësuar gjithmonë të kërkojmë llogari tek të tjerët se pse nuk ka gjak. Në fakt këtë llogari duhet ta fillojmë nga vetja dhe t’i themi vetes që duhet të jemi ne të parët për të dhënë gjak për fëmijët talasemikë, të cilët kanë nevojë një herë në tre javë të marrin gjak”.
Çdo person mund të dhurojë gjak dy herë në vit dhe kjo sipas mjekëve jo vetëm që nuk është aspak e dëmshme, por ndihmon në ripërtëritjen e shëndetit të dhuruesve./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami