Simptomat COVID-19 ndryshojnë nga personi në person. Disa pacientë mund të përjetojnë simptoma të ngjashme me gripin, të tjerët mund të kenë simptoma të zakonshme të ngjashme me ftohjen ose probleme me mushkëritë. Dikush mund të përjetojë vetëm probleme gastrointestinale. Në fakt, një përmbledhje e studimeve akademike zbuloi se pothuajse një në pesë pacientë me COVID-19 mund të shfaqin vetëm simptoma gastrointestinale duke përfshirë humbjen e oreksit, të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje të përgjithshme të barkut.
Për të arritur në përfundim, studiuesit ekzaminuan gjetjet nga 36 studime të botuara deri më 15 korrik. Bazuar në gjetjet e rishikimit, studiuesit këshilluan radiologët e barkut të jenë vigjilentë. Gjetjet e rishikimit u botuan në revistën Abdominal Radiology.
Përveç simptomave gastrointestinal, të infektuarit mund të kenë inflamacion të zorrës së hollë dhe të trashë, ajër brenda murit të zorrëve (pneumatosis) dhe shpim të zorrëve (pneumoperitoneum).
Shtatë format e COVID-19 të butë
Studiuesit nga Universiteti Mjekësor i Vjenës në Austri kanë identifikuar shtatë forma të buta të simptomave që shkakton COVID-19 tek pacientët e infektuar.
-Simptoma të ngjashme me gripin (me ethe, të dridhura, lodhje dhe kollë).
-Simptoma të zakonshme të ngjashme me të ftohtin (me rinitit, teshtimë, tharje të fytit dhe bllokim të hundës).
-Dhimbje të kyçeve dhe muskujve.
-Inflamacioni i syve dhe mukozës.
-Probleme të mushkërive (me pneumoni dhe gulçim).
-Probleme gastrointestinale (përfshirë diarrenë, të përzierat dhe dhimbjen e kokës).
-Humbja e nuhatjes dhe shijes dhe simptoma të tjera.
COVID-19 dhe simptomat gastrointestinale
Një ethe, kollë e thatë dhe gulçim konsiderohen si simptoma të zakonshme të COVID-19. Por problemet gastrointestinale, të tilla si diarreja, të vjella ose dhimbje barku janë shenja të tjera të zakonshme që duket se shpesh anashkalohen gjatë diagnostikimit të sëmundjes.
COVID-19 kryesisht sulmon qelizat që veshin rrugët e frymëmarrjes dhe kështu shkakton probleme me frymëmarrjen dhe çon në pneumoni. Por sëmundja mund të dëmtojë gjithashtu traktin tretës dhe indet e mëlçisë.
Studiuesit kanë gjetur enzimën konvertuese të angiotenzinës II (ACE2), e cila ndërmjetëson infeksionin e SARS-CoV-2, jo vetëm e shprehur shumë në qelizat alveolare të tipit 2 të mushkërive, por edhe në ezofag (tub ushqimi), zorrët e vogla dhe të mëdha. Enzima u gjet gjithashtu në mëlçi dhe sistemin biliar.
Çfarë të bëni nëse keni simptoma gastrointestinale?
Të kesh diarre, të përziera ose të vjella nuk do të thotë gjithmonë që ke COVID-19. Por nëse i përkisni grupeve me rrezik të lartë ose nëse jetoni në një zonë ku sëmundja është e përhapur, këshillohet që t’i kushtoni vëmendje shtesë simptomave tuaja.
Nëse përjetoni këto simptoma të tretjes, përdorni një banjë të veçantë për të parandaluar përhapjen e sëmundjes përmes jashtëqitjes tuaj. Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, veçanërisht pas përdorimit të banjës, fryrjes së hundës ose teshtitjes dhe para ngrënies ose gatimit.
Pastroni dhe dezinfektoni rregullisht sipërfaqet, duke përfshirë tualetin, dorezat e banjës dhe gjëra të tjera që prekni shpesh. Nëse keni diarre ose keni të vjella, pini shumë lëngje dhe hani një dietë të butë.
Gripi i stomakut ose helmimi nga ushqimi gjithashtu mund të shkaktojë simptoma gastrointestinale. Nëse janë thjesht dhimbje stomaku duhet të ndiheni më mirë brenda 48 orësh. Nëse këto dhimbje zgjasin më shumë, mund të jetë një shenjë e COVID-19 dhe mund të përkeqësohet. Nëse dyshoni për COVID-19, flisni me mjekun tuaj. /tvklan.al