Ajo është 100 vjeç, por duket të paktën si 20 vite më e re. Bëhet fjalë për Nezihat Stërmasi bashkëshorten e ikonës së klubit të futbollit Tirana Selman Stermasi i lindur në 9 Maj të vitit 1908. Ai ndërroi jetën në vitin 1976 duke lënë pas gruan dhe vajzën e tij. E shoqja, Nezihat Stërmasi jeton në shtëpinë e tyre ku shkeli për herë të parë 82 vite më parë. Emisioni “Historia ime” do të sjellë tek ju vajzën tiranse nga familja Petrela e cila u bë zonja Stërmasi në fillim shekullin e kaluar. Ajo ka treguar për moderatoren Mirela Milori si u njoh me Selmanin dhe çfarë mendoi kur e pa atë për herë të parë.
Mirela Milori: Më fol pak për fëmijërinë tënde.
Nezihat Stërmasi: Shtëpia ime ka qenë aty ku është një xhami tani në mes të Tiranës, prej ty kam dalë nuse.
Mirela Milori: Me çfarë mbiemri?
Nezihat Stërmasi: Petrela, ishim tre motra dhe tre vëllezër. Shtëpinë e mbaj mend shumë të bukur dhe çdokush që bënte shtëpi shkonim dhe nuk më dukeshe asnjë si shtëpia ime. Ne prisnim njerëz të huaj dhe i prisnin siç duhej.
Mirela Milori: Çfarë është një kujtim që të vjen nga fëmijëria për shembull?
Nezihat Stërmasi: Çfarë të kujtoj më përpara?! Kam shumë kujtime të bukura si nga fëmijëria, si nga rinia. Kisha plot kushërira dhe dilnim xhiro. Tirana ishte e bukur, kur dilnim nga shtëpia dilnim me Pajton. Babai e kishte blerë që ne gratë të dilnim rreth e rrotull Tiranës. Dilja me flokët gërsheta dhe shumë e thjeshtë.
Mirela Milori: Sa vjeçe u njohe me bashkëshortin tënd?
Nezihat Stërmasi: 14 vjeç.
Mirela Milori: Me dashuri apo me mblesëri?
Nezihat Stërmasi: Jo ku bëheshe atëhere me dashuri!
Mirela Milori: Po si u martuat?
Nezihat Stërmasi: U martova në moshën 18 vjeç. Vetëm kur u fejova u njoha me burrin, atëhere e pashë për herë të parë. I thashë nënës pyesni një herë më parë për të sepse unë ju vi prap në shtëpi dhe nëna tha jo ne nuk do të të japim burrë që të na vish prap në shtëpi, do të ta japim që të kesh një jetë të lumtur dhe ashtu e kam pasur jetën.
Mirela Milori: Kur e pe për herë të parë Selmanin, çfarë ndodhi?
Nezihat Stërmasi: Selmani ishte shumë simpatik, i rregullt, i pastër dhe i gjatë. Unë nuk doja t’i dilja para në fillim se më vinte shumë turp, isha vetëm 14 vjeç. I thashë çështë ky budallallik pse më nxirrni? Nëna e shkretë më thoshtë që duhet të njohësh burrin dhe unë i thashë po kur të martohem e njoh burrin, punë e madhe fort. Kur isha e fejuar vinte një herë në javë që të më takonte, flisnim, bënim shaka, kishim afrimitet të madh. /tvklan.al