Lajme Arkiva 2003
Pas radhëve të gjata të shfaqura të shtunën në pikën kufitarë të Kakavijës situata është normalizuar. Vonesa në kryerjen e procedurave nga pala greke janë justifikuar me faktin se ka pasur një fluks të shtetasve që kalonin për në territorin grek.
Shtimi i personelit në Kakavijë ka bërë që pavarësisht nga numri i konsiderueshëm i mjeteve dhe udhëtarëve që presin për të kaluar në anën tjetër të kufirit gjendja të paraqitet e normalizuar.
Sipas burimeve policore nga Kakavija gjatë ditës së diel kanë kaluar rreth 4500 emigrantë nga Shqipëria për në Greqi 18 autobusë rreth 320 automjete dhe 17 kamion me mallra.
Pas fluksit të së shtunës në mëngjes në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ishte Ambasadori Shqiptar në Athinë Bashkim Zeneli, konsulli shqiptarë në Janinë Ilirian Zhupa si dhe drejtori i policisë së qarkut të Gjirokastrës Nuredin Bega.
Ata kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e palës greke, mes të cilëve ishte dhe komandanti i pikës së kalimit grek në Kakavijë Kosta Tërbuqi.
Ata kanë diskutuar në lidhje me punën e bërë dhe masat në mënyrë që të shmangen vonesat e kalimit të shtetasve nga Shqipëria në Greqi dhe që puna të vazhdojë normalisht.
Aktualisht të dyja palët, ajo shqiptare dhe ajo greke kanë shtuar 2-3 sportele, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë kanë nisur të kalojnë nëpër Greqi nëpërmjet pikëkalimit më të ri tre urat në Përmet.
Vonesat dhe radhët e gjatë të së shtunës në pikën kufitare të Kakavijës u krijuan nga një dyndje e menjëhershme e mjeteve dhe e njerëzve për një ose dy orë./tvklan.al