Katedralja e sapo restauruar Notre Dame mbajti meshën e saj të parë. Grupe besimtarësh u grumbulluan nën çadra përtej një perimetri të rreptë sigurie të vendosur jashtë Notre Dame. Mesha u drejtua nga kryepeshkopi i Parisit Laurent Ulrich me 150 peshkopë dhe më shumë se 100 priftërinj. I pranishëm ishte edhe presidenti francez Emmanuel Macron.

“Pavarësisht nëse jeni këtu personalisht në katedrale ose përpara një ekrani, ju përshëndes me emocione të forta,” i tha kryepeshkopi i Parisit Laurent Ulrich. Nën sfondin e trazirave të vazhdueshme politike të Francës, ai u lut edhe për francezët që po e shikojnë me shqetësim të ardhmen.

Një meshë e dytë do të mbahet në mbrëmje për publikun, me rreth 2,500 njerëz që siguruan bileta falas këtë javë për të marrë pjesë. Katedralja do të hapet plotësisht për vizitorët më 16 dhjetor ku njerëzit duhet të rezervojnë online.

Përpjekja e rindërtimit kushtoi rreth 700 milionë euro e financuar nga donacionet. Një pjesë e bazës së çatisë së katedrales pritet të përfundojë dhe statujat e apostujve dhe shenjtorëve, të hequra para zjarrit, do të rivendosen vetëm në gjysmën e parë të 2025.

Shkaku i saktë i zjarrit të vitit 2019 nuk është identifikuar ende, pavarësisht nga një hetim nga prokurorët, të cilët besojnë se një defekt elektrik ishte arsyeja më e mundshme. Notre Dame mirëpriti rreth 12 milionë vizitorë një vit para zjarrit, por pritet të ketë një shifër edhe më të lartë nga 14 deri në 15 milionë pas rihapjes, sipas autoriteteve.

Klan News