Vëllai i George Floyd mbajti një fjalim prekës në Kongresin amerikan, duke u thënë ligjvënësve që vëllai i tij nuk meritonte të vdiste për 20 Dollarë.
“Jeta e tij kishte vlerë. Jeta e të gjithëve neve ka vlerë”, deklaroi 42-vjeçari Philonise Loyd para Kongresit, ku u zhvillua seanca e parë për të shqyrtuar brutalitetin e policisë për vrasjen e George Floyd më 25 Maj.
Një polic në Minneapolis arrestoi Floyd pas një denoncimi se kishte përdorur një kartmonedhë false 20 Dollarëshe në një dyqan. Polici, që tashmë është i arrestuar dhe akuzohet për vrasje, mbajti për 9 minuta gjurin mbi qafën e George Floyd, edhe pse ky i fundit ishte i prangosur dhe po lutej ta lironte pasi nuk po arrinte të merrte frymë.
“George nuk i kishte bërë keq askujt. Ai nuk e meritonte të vdiste për 20 Dollarë. Dhe unë sot po ju pyes juve, kaq vlen jeta e një njeriu me ngjyrë? 20 Dollarë? Jemi në vitin 2020. Mjaft është mjaft. Është në dorën tuaj që vdekja e tij të mos jetë e kotë”, tha vëllai i Floyd.
Pas vrasjes së George Floyd që shkaktoi protesta të dhunshme në SHBA por dhe shtete të tjera, demokratët janë duke hartuar një reformë për ndryshime në ligjin e policisë. Ndërsa republikanët e Senatit po hartojnë një plan tjetër paralel për të reduktuar kompetencat e policisë.
Edhe Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar ndryshimet në legjislacion. Një pjesë e republikanëve kanë premtuar bashkëpunim me demokratët për të përshtatur ndryshimet e ligjit në këtë aspekt. /tvklan.al