Është shtyrë seanca për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Gazetarja Glidona Daci ka mësuar se shkak është bërë mos arritja për të lexuar të gjitha materialet e dosjes. Për këtë arsye seanca e radhës është parashikuar që të mbahet në datë 26 Korrik.
Kujtojmë se më 31 Maj, ish-ministri Beqaj tërhoqi të gjitha aktet e dosjes së “Sterilizimit”.
Ai krijoi një situatë jo të zakontë disa muaj më parë, kohë kur SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen në gjyq, duke mos e tërhequr atë, me argumentin se ajo kushtonte shumë.
Pas disa kërkesash, dosjen pa pagesë ia siguroi gjykata gjatë shqyrtimit në seancë paraprake të kërkesës për marrjen e tij të pandehur, që megjithëse me një dosje voluminoze, do gjykohet vetëm për “shpërdorim detyre”.
SPAK e hetoi për disa muaj Beqajn, edhe në bazë të një sugjerimi të gjyqtarit të hetimit paraprak, që vlerësoi që ish-ministri mund të kishte kryer edhe korrupsion e pastrim parash në dhënien e koncensionit të sterilizimit në 2015.
Por në përfundim, SPAK nuk arriti t’i konfirmonte këto dyshime dhe i tha Gjykatës ta marrë atë të pandehur, bashkë me ish-vartësin e tij, Klodian Rjepaj, se kishin shpërdoruar detyrën dhe dhënë koncensionin në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishin njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj./tvklan.al