Kemi sjellë në programin ‘Historia ime’ në Tv Klan rrëfime të sinqerta që nuk kursejnë as vështirësitë, dhimbjen, dhunën, dhe as lotët e personave që rrëfejnë dhe jo pak herë dhe të publikut. Duket se në secilën histori që ndahet në këtë studio, gjithsecili mund të gjejë një copëz të përbashkët me jetën e tij.
Historia që do të rrëfehet në puntatën e sotme do të jetë po aq e vërtetë dhe do të ketë gjithashtu një ngarkesë të fortë emocionale. Përpara disa vitesh, një vajzë 26 vjeçare në atë kohë, zbulon se problemet shëndetësore që kishte pasur nuk i vinin nga ajo që mendonte, nga hernia diskale në rastin konkret, por nga mosfunksionimi i një organi jetik siç është veshka. Ajo jetonte në një fshat të largët në Librazhd ku i duhej 5 orë për të zbritur në qytet, për këtë arsye ajo dhe familja e saj u detyruan të vijnë në Tiranë dhe të merrnin një shtëpi me qira për të vazhduar mjekimin.
Sheqere Gega: Jam nga Librazhdi dhe jam 37 vjeç.
Mirela Milori: Kur u shfaq kjo dhimbje?
Sheqere Gega: Që kur isha 20-22 vjeç. Filluan të më dhembnin këmbët, mesi dhe kisha shumë të vjella. Kur shkoja tek mjeku i familjes ai më jepte ilaçe për hernie diskale edhe për stomakun. Unë jetoja në një fshat të largët, kur vajta bëra ekon dhe analizat në Librazhd, na thanë shko në Elbasan. Kur kam shkuar, mjeku tha që nuk i funksionojnë veshkat duhet future në dializë. Nuk funksiononte asnjë nga veshkat. Qëndrova 2 javë atje në dializë.
Mirela Milori: Më the se vjen nga një fshat i largët, sa larg është nga Librazhdi?
Sheqere Gega: 5 orë, 2 orë e gjysmë duhet të zbres poshtë në këmbë dhe një orë e 40 minuta me autobus apo fugon. Është zonë e thellë malore. Unë prej 2009 që jam futur në dializë kam ndenjur këtu në Tiranë me qira sepse nuk kisha mundësi, duhet të ecja 2 orë e gjysmë në këmbë. /tvklan.al