Briseida Xhelaj, një mjeke shqiptare në SHBA, ka kaluar një eksperiencë traumatike gjatë pushimeve në Shqipëri. Teksa në mesnatë ktheheshin nga një darkë familjare ku kishte qenë me prindërit, djalin 7-vjeçar dhe xhaxhain e bashkëshorten e tij, marrin ashensorin, ndryshe nga ditët e tjera kur një pjes e tyre kishin përdorur shkallët. Vazhdimin e frikshëm mjekja e rrëfen në një lidhje Skype me “Rudina” në Tv Klan.
Briseida Xhelaj: Në momentin që ashensori u nis, pas 30 sekondash, ndali. Dritat u fikën dhe nuk kishte asnjë zhurmë. Për momentin nuk u shqetësuam shumë sepse prisnim që të ndizej drita prapë dhe të vazhdonte të ecte, por ashensori nuk po ecte më. Ishte errësirë, nuk kishte ajër, nuk kishte asnjë telefon brenda të instaluar dhe brenda nuk kishte asnjë ashensor për zile. Këtu ishte faji im sepse ndoshta duhet ta kisha kontrolluar më përpara ashensorin nëse ishte i rregullt apo jo, por duke jetuar në Amerikë kaq shumë vite, ne besojmë që ashensori i ka të gjitha të mirat dhe ndihmën e shpejtë. Në atë moment, filluam të frikësoheshim.
Djali ishte i pari që filloi të qante, po mundohesha të qetësoja djalin, por pashë edhe babin që filloi të përjetonte një atak paniku sepse nuk rri dot në vendet e mbyllura. Menjëherë nxorëm telefonat, por nuk kishte shërbim, domethënë telefonat tanë nuk punonin dot që të merrnim as policinë, as pronarin dhe asnjë njeri tjetër. Në atë moment filluam të bëheshim edhe më shumë nervozë, sidomos se nuk mbusheshim me frymë. Filluam të thërrisnim për ndihmë dhe të gjithë faktikisht e kemi humbur zërin aty nga thirrjet pafund. Ashensori në fakt kishte ndaluar te kati jonë ku ishte edhe pronari dhe unë as sot nuk e di se si pronari nuk i dëgjoi ulërimat tona. Aq shumë e ka goditur xhaxhai ashensorin sa u thye pasqyra.
Të pushtuar nga frika, e cila shtohej gjithnjë e më shumë çdo minutë që kalonte, Briseida kujton mendimet e tmerrshme që i kalonin në kokë.
Briseida Xhelaj: Në atë moment vetëm thoja “të vdes unë e para” sepse nuk e përballoja dot të shihja prindërit e mi apo djalin tim, apo xhaxhain, ndihesha fajtore sepse e kisha gjetur unë këtë vend, ndihesha fajtore për djalin sepse e kisha sjellë unë në Shqipëri me gjithë dëshirën e madhe që ai të shikonte ku nëna e tij ishte rritur dhe mendimet e para që më erdhën ato momente ishte sa shumë kisha argumentuar me njerëzit në Shqipëri duke iu thënë që “Shqipëria është shumë e bukur, shumë e mirë, duhet të lëvizim, të vijmë këtu,” dhe në atë moment po kërkoja falje, brenda vetes time po thoja “keni të drejtë, mungon siguria, këtu mund të vdesë njeriu kot fare”./tvklan.al