Sot ai është një shef kuzhine dhe profesionist në zanatin e tij, megjithatë pavarësisht orëve të zgjatura në punë mes aromave të ushqimeve, ai gëzon një raport të ngushtë me librin dhe leximin.
Por, nuk ka qenë kështu gjithmonë, në studion e “Rudina” në Tv Klan Mirsad Tagani rrëfen historinë me të atin, i cili ka qenë mësues. “Më ka ngritur në mes të klasës dhe më tha ‘nga kjo shkollë o do të iki unë, o do të fillosh ti të lexosh”, kujton Mirsadi “kushtin” që i vendosi i ati, mësuesi i tij, dhe mesa duket atë mësim ai nuk e harrojë kurrë.
Mirsad Tagani: Unë do të tregoj një histori nga fëmijëria ime. Me thënë të drejtën unë rrjedh nga një familje që gjithmonë kanë lexuar dhe kanë qenë pranë librave, por kam pasur një gjë tjetër në shkollë. Në gjimnaz kam pasur babanë mësues dhe ka qenë kështu, që kur je nxënësi i profesorit duhet të ishe më lart se të tjerët, por realisht unë kurrë nuk isha afër librave. Ka qenë një moment kur mu afrua babai në klasë, ishte koha kur filloi rinia me ato gjërat çapkëne të tyre dhe më tha në mes të klasës që “nga kjo shkollë o do të iki unë, o do të fillosh ti të lexosh”. Dhe të them të drejtën e kam mbajtur mend gjithmonë këtë gjë.
Rudina Magjistari: Pra ti fillove të lexoje.
Megjithatë përveç mësimit të të atit, Mirsad Tagani shprehet se për t’u larguar disi nga puna dhe rutina e përditshmërisë vendosi që të kalonte më shumë kohë duke lexuar.
Mirsad Tagani: Fillova, por ku i hyra kuzhinës me thënë të drejtën e kisha me shumë pasion dhe kuzhina ka një rutinë me shumë orë të zgjatura dhe në fillimet e saj nuk më mbinte ndërmend për librin, por duke qenë se mu bë çdo gjë e bezdisshme, e lodhshme duke bërë rutinë çdo ditë më sugjeruan që të merrem me librat./tvklan.al