Tentativa e parë e Beqirit për t’i shpëtuar sistemit komunist përmes arratisjes nga porti i Sarandës nuk rezultoi me sukses. “Momenti më i bukur i jetës” që ai përshkroi në “Ka Një Mesazh Për Ty” u kthye shpejt në një ngecje në mes të ujërave të tetorit 1987, policisë që zbrazte automatikët dhe torturave në anije e poshtërimit në rrugët e Sarandës.
Prej andej, Beqiri dhe shoku i tij u dërguan në Qafën e Barit ku i priste dënimi i më shumë se dy dekadave. Duke mos iu dorëzuar në asnjë moment jetës pas hekurave, ai vendosi të hartonte një strategji për t’u arratisur sërish. Beqiri kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan si një ditë, duke përfituar nga mundësia që si punëtor ofiçine t’i vinte në ndihmë një shoku, la pas rrethimin kryesor dhe doli në të dytin.
Jashtë rrethimit të dytë, rridhte një përrua që nga moti i keq kthehej në një lumë të rrëmbyeshëm si atë ditë. Ndërsa priste makinat që hynin e dilnin nga rrethimi, Beqiri mendonte si të kalonte e të hidhej drejt përroit derisa mori guximin, me shpresën se do të gjente lirinë.
Beqir: Hyri saureli i parë, unë nuk e mora guximin të kaloja. Kur erdhi saureli i dytë, prapë nuk e mora guximin. Kur erdhi makina e tretë, “e treta, e vërteta tani, o vdekje, o liri!” Unë sytë i mbaja vetëm te ushtarët në qoftë se ndonjëri nga ata do të hiqte automatikun, unë do të vrapoja, do të hidhesha në lumë. Ata me ata monotoninë e tyre në truprojë dhe unë direkt kaloj te shoferi dhe hidhem direkt në lumë. Me not zbres deri poshtë, dal nga lumi duke parashikuar rrezikun që mund të përplasesha me ndonjë shkëmb se lumi është shumë i rrëmbyeshëm atje dhe po ecja xhadesë. Nuk kaluan as 20 minuta, gjysmë ore kur filluan të bëjnë alarm me pushkë dhe me fishekzjarre, me drita. U detyrova t’i ngjitem shpatit të malit dhe të eci gjithë natën, ndoshta edhe të nesërmen dhe fatmirësisht, më kanë gjetur pothuajse të vdekur. Më gjetën të shtrirë, bëri një kohë shumë e keqe.
Ardit Gjebrea: Kush të gjeti?
Beqir: Atje kishte qenë një grua që bënte dru për kooperativën, për furrën e fshatit dhe më kishte parë mua të shtrirë në mes të pyllit. Atje kishte lajmëruar, unë kam qenë pa ndjenja, i humbur, nuk e di sesi kam përfunduar aty, më marrin e më çojnë në furrën e fshatit, më ngrohin aty në zjarr ata fshatarët, pastaj aty vjen policia e burgut pasi unë kisha ardhur pak a shumë në vete dhe më çojnë përsëri në burgun e Qafës së Barit dhe prej aty më çuan në hetuesinë e Pukës.
Ardit Gjebrea: Ti nuk kishe asnjë shpresë më?
Beqir: Shpresa zero, as për arratisje, as për asgjë.
Në hetuesinë e Pukës Beqirin e dënuan sërish dhe prej andej e shpërngulën në burgun e Burrelit./tvklan.al