Organizata Botërore e Shëndetësisë do të japë 150 milionë doza vaksinash për të luftuar gripin AH1N1 në vendet në zhvillim.  Në një konferencë me ekspertë nga mbarë bota të mbajtur në Kankun, drejtoresha e përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan, tha se ka marrë tashme angazhim të plotë nga dy kompani vaksinash të cilat do të merren me ndarjen e dozave.

Dozat e para të vaksinave janë prodhuar në Europë, përkatësisht në Gjermani nga kompania Novartis. Megjithatë do të duhen rreth 2 muaj që të fillojë shpërndarja e tyre. Kompania tha se deri tani ka marrë porosi nga 35 qeveri. 

Po kështu, sekretari për shëndetësinë në Britaninë e madhe, Edni Bernham, tha se deri në fund të muajit gusht, Britania mund të shënojë edhe 100 mijë raste të reja të infektimit me virusin H1N1, skenari më i keq-siç theksoi ai.

Raste të reja të infektimit me virusin vdekjeprurës janë shënuar edhe në rajonin tonë. Një ditë më parë, Greqia konfirmoi 4 raste të reja të gripit duke e çuar në kështu në 101 numrin total të rasteve të njoftuara që prej 18 Majit, dita së shfaqjes së sëmundjes në vend. Edhe në Maqedoni është shënuar rasti i dytë. Të gjithë personat kanë qenë të ardhur nga SHBA dhe Australia. Në Serbi numërohen 14 raste që nga 1 qershori. 

Deri tani, në nivel global, figurojnë 79 mijë raste të infektimit të virusin H1N1. 337 persona kanë gjetur vdekjen që nga koha e shfaqjes së sëmundjes në muajin prill.  Muajin e kaluar, OBSH rriti në 6 nivelin e alarmit, pandemia e parë që nga viti 1968./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj