Gripi i derrave ka shkaktuar mbi 700 viktima në mbarë botën. Lajmi bëhet publik nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas së cilës, që nga 6 korriku, numri i fataliteteve është rritur me 260.
Në deklaratën e Organizatës, thuhet se virusi H1N1 po përhapet me shpejtësi të madhe, të paprecedentë, dhe kjo e bën atë të pandalshëm. Margaret Chan, drejtoresha ekzekutive e OBSH tha se kjo pandemi do të jetë më e madhja që është parë ndonjëherë.
Edhe pse, në shumë pacientë virusi ka pasur simptoma të lehta dhe ka kaluar pa probleme të mëdha , Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon qeveritë të qëndrojnë në gjendje gatishmërie. Organizata deklaroi pandeminë në qershor.
Deri tani, në nivel global, numri i vendeve që kanë raportuar raste të infektimit me virusin H1N1 është 120. Sipas të dhënave, deri tani, Shtetet e Bashkuara te Amerikës kanë raportuar 263 viktima, Kanadaja 45, Britania 29 dhe Meksika 119./tvklan.al