OBSH ngre alarmin sa i takon mirëqenies së adoleshentëve, për mbështetjen që marrin nga familja dhe shoqëria. Sipas të dhënave të fundit, 33% e adoleshentëve thonë se nuk kanë mbështetje nga familja, ndërkohë që presioni shkollor rritet çdo ditë. Por ndryshe ndodh në vendin tonë.

92% e vajzave dhe 89% e djemve 11 vjeçarë thonë se kanë një mbështetje të madhe nga familja. Në vlera të larta të dhënat janë edhe për 14 e 15 vjeçarët adoleshentë. Në raport Shqipëria lë pas, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë dhe Italinë fqinje.

Kjo mbështetje familjare përkthehet në lehtësinë e adoleshentëve për të diskutuar me prindërit problemet e tyre qofshinë në shkollë, me shokët apo edhe në shoqëri. Duket se vajzat edhe djemtë shqiptarë e kanë të lehtë të komunikojnë problemet e tyre me nënën, ndërsa tek babai bisedat më të shumta bëhen nga djemtë.

Përsa i përket Europës, “Studimi për Sjelljen e Shëndetshme te Fëmijët në Moshë Shkollore” ka zbuluar rënie shqetësuese të mbështetjes sociale për adoleshentët 11-15 vjeç. 

E thënë ndryshe, 67% e adoleshentëve kanë raportuar mbështetjen e familjes përkundrejt 73% që ishte  në 2018, ndërkohë që mbështetja nga bashkëmoshatarët nga 61% ka rënë në 58%. Vajzat janë ato që raportojnë nivele më të ulëta të mbështetjes familjare, e kundërta ndodh me bashkëmoshatarët.

Nga ana tjetër ato thonë se presioni nga ngarkesa në shkollë është rritur. Ndër 15-vjeçarët, 63% raportojnë se ndihen nën presion.

Sipas ekspertëve këto trende po ndikojnë në shëndetin mendor dhe mirëqenien e miliona të rinjve, sidomos të adoleshentëve e sidomos tek ata me familje me gjendje të dobët ekonomike.

Tv Klan