Ekspertët ligjorë të dy partive të mëdha pranë komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore që mbylli hartimin e kodit të ri elektoral kanë garantuar në një prononcim për mediat se dokumenti që mori konsensusin në komision shmang fenomenin e Dushkut.
Oerd Bylykbashi: “Asnjë parti politike apo kandidat nuk ka interes që votën e tij ta shpërndajë tek subjekte të tjera sepse kërkon të maksimalizojë rezultatin e tij. Për rrjedhojë Dushku me këtë sistem proporcional nuk ka mundësi që të aplikohet ashtu siç e njohim neve.”
Duke komentuar një ndër kapitujt më të debatuara, atë për administrimin e zgjedhjeve, që kundërshtohet ashpër nga një grup deputetësh, të cilët prej 7 ditësh janë ngujuar në ambientet e parlamentit. Ekspertët ligjorë shpjegojnë:
Damian Gjiknuri: “Reduktimi i numrit ka ardhur e para punës si rezultat i rekomandimeve bazë ndërkombëtare. Pse arritëm të numri 7? Kuptohet gjithmonë është e vështirë çështja se sa do të jetë numri, por të paktën u nisëm nga një praktikë, e cila ka qenë e aplikueshme në Shqipëri përpara ndryshimeve që u bënë në kodin në vitin 2006. Shtimi i numrit jo domosdoshmërish sjell cilësi në vendimmarrje dhe ka sjellë dhe probleme të vazhdueshme me administrimin e zgjedhjeve. Ka pasur dhe versione për përfaqësues, pra nga administrata publike në administrimin e zgjedhjeve. Ka vështirësi teknike sidomos të gjesh një numër të mjaftueshëm për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë që t’i kesh njerëz të depolitizuar dhe që janë pjesë e administratës publike”.
Për herë të parë ne kod përcaktohen periudhat e mbajtjes së zgjedhjeve. Ato të përgjithshmet do të zhvillohen nga periudha 15 Mars deri më 30 Qershor ose 15 Shtator deri në 30 Nëntor.
Ndryshe nga të gjitha proceset e tjera zgjedhore në vitin 2009 do të përdoren për votim vetëm pasaportat dhe kartat e reja të identitetit.
Ndërkohë ankimimi ashtu si dhe ne kodin aktual parashikohet të zhvillohet në dy nivele, pra në atë administrativ, ku si institucion që merr në shqyrtim pakënaqësitë është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe hapi i dytë është ai në gjyqësor, ku institucioni më i lartë apelues do të jetë sërish kolegji zgjedhor.
Të gjitha këto ndryshime të sanksionuara tashmë në kodin e ri zgjedhor pritet që të kalojnë për votim në parlament me nisjen e kësaj jave./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi