Propozimi i disa deputetëve socialistë për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale shkaktoi kaos në Kuvend. Ofendime e sharje u bënë mes deputetëve në sallë.
Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku në një lidhje direkte në Klan News shprehet se nuk ndihet mirë kur ka debate të tilla në Parlament, por ajo shtoi se nuk i vjen keq që gjendet në atë sallë pasi politika për të është pasion.
Jorida Tabaku: Po e them edhe njëherë që i ka rënë vlera sallës së Parlamentit, i ka rënë. Sallën e Parlamentit e bëjnë deputetëtë. Mua nuk më vjen keq që gjendem në atë sallë sepse unë e kam politikën me pasion dhe nuk e kam këtë si një punë për të kryer dhe thjeshtë për ta pasur aty në listë. Jam përfshirë në politikë që fëmijë. Sigurisht që nuk ndihesh komode kur dëgjon një debat të tillë parlamentar dhe aty në Parlament unë vetë kam qenë objekt i sulmeve, bullizmit e fyerjeve e ofendimeve nga ana e kolegëve socialistë për gjashtë vite me rradhë për çështjen e inceneratorëve dhe kështu që të mos bëjmë sikur ajo është një sallë elitare që prodhon një debat akademik. Salla është e tillë që reflekton edhe situatën në të cilën ndodhet sot fatkeqësisht mazhoranca, por edhe listat e deputetëve. Nëse sot ne kemi një debat të tillë në Parlament vjen si pasojë e cilësisë së deputetëve që kemi në atë sallë.
Ndërkohë sa i takon kërkesës së Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje Tabaku u shpreh se është vetë qeveria që i ka lejuar ato.
Jorida Tabaku: Unë jam e qëndrimit që ne duhet të ngrejmë sisteme të drejta që shteti nuk jeton dhe funksionon dot me gjoba. Gjobat që janë për ndërtimet pa leje në fshatra është një nga temat që po diskutohet sot. Po kush i vuri këto në 12 vite? Gjobat për ndërtimet pa leje në Tiranë janë një çështje tjetër. Po kush i vendos këto gjoba, kush e lejon këtë paligjshmëri? Nëse ti ndërton pa leje është dikush që e ka lejuar këtë. Ndërkohë që flasim ka 30 mijë llogari të qytetarëve të Tiranës të bllokuara nga Bashkia Tiranë që po vendosin gjoba për gabime në llogaritë e tyre, ndërkohë që flasim drejtoria e Tatimeve po vendos gjoba mbi bizneset për një rikategorizim të tyre, absolutisht e padrejtë. U vendosën gjoba për profesionistët e lirë për një çështje që u fitua në Gjykatën Kushtetuese. Ne po diskutojmë për një paligjshmëri që e ka lejuar vetë qeveria.
/tvklan.al