Ashtu si në kohën e Verdit, edhe e sotmja mbetet një terren i ethshëm për mëkate shoqërore, po aq edhe politike, që kanë për destin më së shumti mosndëshkimin.
Regjisori italian Nikola Zorzi në një bashkëpunim me Teatrin e Operas të Tiranës sollën një dramë të vërtetë personazhesh me premierën e re të operës, Rigoletto të Giuseppe Verdit, këtë herë me një spektakël tej personazhesh e motivesh ikonografike të vitit 1851, kur kjo vepër e madhe operistike u shfaq për herë të parë në Teatrin Fenice të Venecias, por me një stil bashkëkohor.
Drama që zhvillohet në këtë realitet të përlyer me frikën, pasigurinë, iluzionet, injorancën dhe paudhësinë, realizohet përmes skenash të ndryshme nga ajo klasike, të realizuara nga arkitektja dhe kostumografja italiane, Manuela Gasperoni, të cilat lejojnë shprehjen e aksionit dramatik, ku ndërthuret ndërdyshja psikologjike dhe reale e Rigolettos, dhe raporti i tij me Xhildën.
Tragjedinë personale të Rigolettos dhe të gjitha Xhildave të Monterrones e manifestuan në këtë shfaqje të re moderne artiste të Teatrit të Operës dhe Baletit, muzikante e Orkestrës Sinfonike të dirigjuar nga mjeshtri Vitorio Parizi, në vigjilje të pranverës artistike italiane me lajtmotivin “Italia dhe Shqipëria 2010 -Dy Popuj, Një det, Një Miqësi”, një bashkëpunim mes ambasadës italiane në Tiranë dhe Teatrit të Operës dhe Baletit./tvklan.al
Gazetare: Irma Toptani