Policia ka zhvilluar një operacion të gjerë në Tiranë e Shkodër kundër mashtrimeve me kriptomonedha. Janë lëshuar 20 urdhër-arreste nga prokuroria e kryeqytetit ndërsa janë ekzekutuar 18 prej tyre.
Shumica e të arrestuarve janë pronarë të subjekteve të ndryshme. Disa prej tyre kishin në pronësi pika të këmbimit valutor. Detajet e operacionit janë bërë të ditur nga drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.
Ervina Gjana, drejtoreshë e krimit kibernetik: Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale në para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie.
Hetimet po vijojnë, teksa policia ka konkluduar se kriptomonedhat përdoreshin si mekanizëm pagese ndërmjet grupeve kriminale.
Si pasojë e kontrolleve në 32 ambiente të ndryshme janë sekuestruar rreth 750 mijë Euro, para që sipas policisë dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, janë sekuestruar edhe 13 pajisje kompjuterike dhe 27 celularë.
Klan News