Kabosu, qeni i “doge meme” ka ngordhur 14 vite pas famës në internet, ka deklaruar pronarja e saj.
Qeni i racës japoneze shiba inu frymëzoi shumë foto gazmore në platformat sociale dhe u bë imazhi i kriptomonedhës Dogecoin.
Qenushja ishte e sëmurë nga leucemia dhe probleme të mëlçisë.
“Ajo ngordhi qetësisht si të ishte në gjumë teksa e përkëdhelja. Mendoj se Kabo-chan ishte qenushja më e lumtur në botë. Edhe unë isha pronarja më e ëmbël”, shkruan Atsuko Sato në postimin e saj ku falenderon admiruesit e Kabosu.
Ditëlindja e saj e saktë nuk dihet pasi pronarja e kishte adoptuar, por ajo mendonte se ishte rreth 18 vjeç.
Në vitin 2010, dy vite pas adoptimit, Sato shkrepi një foto të qenit që kishte kryqëzuar putrat në divan. Ajo e postoi në blog e prej aty u shpërënda në Reddit dhe u kthye në një “meme” të famshme.
Më vonë, fotoja u bë një vepër dixhitale NFT që u shit për 4 milion dollarë dhe frymëzoi Dogecoin, që nisi si një shaka nga dy inxhinierë softueri dhe tani është kriptomonedha e tetë më me vlerë që arrin deri në 23 miliardë dollarë.
Mbështetësit e saj kryesorë janë Snoop Dogg, Gene Simmons dhe Elon Musk që shpesh tallet me të në X, çka shkakton rritjen e vlerës së saj dhe e quan si “kriptomonedha e popullit”.
Një statujë 100.000 dollarëshe e Kabosu dhe divanit të saj e financuar nga Own The Doge, një organziatë kriptomonedhash që i është dedikuar “meme”-s, u inagurua në një park në Sakura nëntorin e shkuar.
Sato dhe Own The Doge kanë dhuruar shuma të majme në organizatat ndërkombëtare të bamirësisë. 1 milion dollarë janë dhuruar për Save The Children e cila ka deklaruar se është “kontributi më i madh në kriptomonedha” që ka marrë./tvklan.al