Rrjeti i mashtrimit nëpërmjet call centerave i zbuluar nga EUROPOL dhe disa agjenci ligjzbatuese të huaja kishte bazën edhe në Tiranë. Në një banesë në zonën e Liqenit të Thatë nëpërmjet 6 kompjuterëve, shtetasve të huaj u premtohej të investonin në bursën Forex për të marrë përfitime të mëdha, por binin pre e mashtrimit.
Për bazën në Shqipëri përgjegjës ishte një shqiptar i Kosovës, ndërsa punonin edhe 5 persona të tjerë banues në Tiranë. Ata u arrestuan nga sektori për krimin kibernetik në policinë e Tiranës dhe Prokuroria e Posaçme për llogari të operacionit ndërkombëtar të Europol.
Përveç premtimit për të investuar në bursën Forex, punonjësit në zyrën në Shqipëri merrnin për herë të dytë personat që i kishin mashtruar me premtimin për tu kthyer shumat që i kishin humbur. Në këtë mënyrë ata i bindnin për të investuar sërish. Krimi kibernetik i Tiranës dhe SPAK dyshojnë se janë edhe pika të tjera Call Center që janë bërë pjesë e këtij mashtrimi.
Hetimet për goditjen e grupit të shtrirë në disa vende të Ballkanit Perëndimor u nisën fillimisht nga Gjermania. Policia në këtë shtet parandaloi një tentativë mashtrimi me dëm të mundshëm prej mbi 100,000 Euro, përmes një punonjësi të vëmendshëm të bankës. Nga numrat e telefonit të grupit të strukturuar kriminal, ka rezultuar në mbi dhjetë mijë raste të mashtrimit, me dëme në mbi 10 milionë Euro.
Klan News