Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-drejtorin e Hipotekës, Ardian Kona.

Kona u arrestua tri ditë më parë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve. Rivlerësimi i masës së sigurisë është kryer në mungesë të tij, pasi ai ndodhet në spital për shkak të problemeve shëndetësore.

Sipas organit të akuzës, të përfaqësuar nga prokurorja Mediana Meta, Ardian Kona akuzohet për tjetërsimin e një sipërfaqeje toke prej 14,000 m² në Gjirin e Lalëzit. Tokës i është bërë regjistrimi pa dokumentacionin e duhur në emër të Kujtim Demirajt, pas një denoncimi nga shtetasi Bilal Kertusha.

Për abuzimin me pronat janë shpallur në kërkim edhe Bledar Zerba me detyrë jurist në ASHK Durrës, Leonard Dervishi me detyrë hartograf në ASHK Durrës si dhe Arta Demiraj, përfituese.

Nga hetimi ka rezultuar se 44-vjeçarja, banuese në Tiranë, në bashkëpunim me tre punonjësit e ASHK-së Durrës kanë regjistruar pasurinë e llojit arë pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.

Klan News