Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj dy oficerët që janë arrestuar në kuadër të operacionit të fundit të SPAK. Drejtori i Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku ka firmosur përjashtimin e tyre, vendim i cili është marrë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskredituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Henerigert Mitri dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën e drejtorit të policisë së qarkut Lezhë së bashku me oficerin Klodian Shahini ushtronin aktivitetin e kultivimit të kanabisit dhe të lojërave të fatit në qarkun e Lezhës. E gjithë veprimtaria e tyre u zbulua nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin “Sky”.
Pas firmosjes së urdhrave të përjashtimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku theksoi se në policinë e shtetit nuk do të lejohen ata që shkelin ligjin.
Muhamet Rrumbullaku, drejtori i Policisë së Shtetit: Në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që shkel ligjin dhe, më keq akoma, bashkëpunon me grupet kriminale. Falënderoj Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për bashkëpunimin profesional në përpjekjet e përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar dhe vënien përpara drejtësisë të kujtdo që tenton t’i shmanget asaj.
Henerigert Mitri mbante aktualisht postin e shefit të Sektorit të Analizës së Riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit dhe Drejtimit, në Departamentin për Sigurinë Publike. I arrestuari tjetër, Klodian Shahini ishte shef i Seksionit të Policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Ndaj dy oficerëve gjykata vendosi masën e arrestit në burg.
Klan News