Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Te ftuar: Zylyftar Bregu, Merin Maci, Eni Ferhati, Erjon Ismaili, Bleona Metushi
Mbrëmjen e kësaj të hëne emisioni “Opinion” në Tv Klan fokusohet në ngjarjet e fundit kriminale. Vrasja e 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” vazhdon ende të shoqërohet me një sërë pikëpyetjesh. Kush ishte motivi i sherrit mes dy të rinjve? Cilët ishin personat që e ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes dhe pse arma e krimit u gjend ka vonë? Këto dhe shumë të tjera që lidhen me ngjarjen e rëndë diskutohen nga paneli i të ftuarve në studion e “Opinion”. Duke qëndruar sërish në zhvillimet e fundit, këtë të hënë SPAK lëshoi 21 masa sigurie. Dy gazetarëve të kronikës së zezë Elton Qyno dhe Artan Hoxha iu komunikua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në pjesën e parë të emisionit do të diskutohet dhe zbardhja e vrasjes së atentatit ndaj biznesmenit Eduart Reçi. Cilët ishin dy vëllezërit që e ekzekutuan dhe si dështoi atentati i tyre i 8 Nëntorit?
“Martini me shokët e pritën jashtë shkolle autorin”, Ismaili flet mbi dinamikën e ngjarjes
Zyrtari i policisë Erjon Ismaili ka folur sonte në “Opinion” për vrasjen e 14 vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet, të ndodhur një javë më parë.
Ai shpjegoi dinamikën e ngjarjes, bazuar në hetimet e deritanishme.
“Në datë 18 Nëntor rreth orës 13:00 është marrë njoftim në sallën operative Tiranë për një sherr të ndodhur pranë shkollës “Fan Noli”. Menjëherë kanë shkuar shërbimet e policisë, është ngritur grupi hetimor pasi në këtë ngjarje ishin të përfshirë të mitur. I është bërë me dije prokurorit të gatshëm për të asistuar për shkak të cilësisë së personave. Është zbardhur dinamika, nga momenti i përfundimit të shkollës e më pas veprimet e tjera. Një grup personash, përfshirë dhe të ndjerin Martinin, kanë qenë duke pritur jashtë shkolle Mario Përlleshin. Moshatarë të Martinit…
Nga hetimet rezulton se pasi kanë takuar autorin e dyshuar, janë futur te rrugica pranë shkollës. Nga rrethanat, del që janë futur aty për t’u sqaruar. Nuk kemi një motiv të qartë të sherrit, xhelozirat e shokëve mes njëri-tjetrit…Më pas kanë diskutuar jashtë restorantit të peshkut dhe më pas kanë dalë në rrugën tjetër ku ka ndodhur ngjarja”, tha Ismaili.
Xhelozitë e moshës? Dyshimi kryesor për motivin e vrasjes së 14-vjeçarit
Vrasja e një 14-vjeçari pranë shkollës së tij trondit opinionin publik. Pas 1 jave nga vrasja, policia ende nuk ka një motiv të qartë për ngjarjen.
Zyrtari i policisë, Erjon Ismaili, sqaroi se për të mësuar më shumë mbi motivin janë pyetur edhe drejtoresha, oficeri i sigurisë, mësuesit kujdestarë dhe personat e përfshirë në ngjarje.
Por ata nuk japin një motiv të qartë se pse ka filluar zënka mes tyre. Megjithatë Ismaili tha se grupi hetimor ka bindjen se shkak i ngjarjes lidhet vetëm me xhelozitë e moshës mes fëmijëve.
“Për ta sqaruar këtë pjesë, ne lidhje me motivin e ngjarjes kemi pyetur edhe drejtoreshën, edhe oficerin e sigurisë dhe mësuesit kujdestarë. Lidhur për të nxjerrë këtë, nga deklarimet e administruara deri më tani nga ata nuk na del që të kemi një konflikt midis të ndjerit dhe autorit të dyshuar. Dhe personat e përfshirë në ngjarjen e datës 18 nuk japin një motiv të qartë se pse ka filluar zënka midis tyre, por në një trajtë lidhur edhe me bindjen e grupit hetimor kemi të bëjmë me një xhelozi moshe, fëmijësh dhe nuk është se ka ndonjë motiv që mund të lidhet me ndonjë arsye tjetër përveç xhelozive të moshës”, tha zyrtari i policisë në emisionin “Opinion” në Tv Klan.