#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Një dosje e çuar nga SPAK policisë dhe një hetim që përfshinte një seri grupesh kriminale të përmbledhur në 18 episode, 15 prej të cilave konsideroheshin incidente mjaft të rënda të botës së krimit ka rihapur problematikën e asaj që quhet bota nëntokësore e krimit, një botë që në mesazhet e dosjen paraprake të SPAK rezulton që ka një histori të frikshme që nuk e shohim, por që është prezente dhe tregon lidhjet me botën e politikës dhe Policinë e Shtetit. Çfarë po ndodh me krimin në Shqipëri? Në këtë emision ku i ftuar është Ministri i Brendshëm Taulant Balla përballë gazetarëve Spartak Koka e Eni Ferhati, flitet për të gjitha këto si edhe për angazhimin e policisë gjatë sezonit veror.
Disa nga pikat që diskutohen janë:
-Rezoluta antikorrupsion dhe a është një tentativë për të frenuar SPAKun?
-Akti i dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi
-Gjobvënia nga përfaqësues të policisë
-Përfshirja e policisë në krim
-Deklarata e SPAK që akuzon një pjesë të policisë për lidhje me botën e krimit
-Dubai dhe ekstradimet që po kthehen në një burg të hapur
-Policia dhe turizmi
-Policia rrugore
-Ndërtimet pa leje
-Zhurmat në vijën bregdetare

Balla: Deri të hënën mendoj se avokati Sokol Mëngjesi do të jetë në rrezik për jetën

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi deri të hënën do të jetë në rrezik për jetën referuar komunikimit që ka pasur me doktorët e tij. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla ka deklaruar se në rastin e dhunës ndaj avokatit bëhet fjalë për një konflikt të vjetër teksa ka shtuar se ka diskutuar me një koleg të tijin se si ka mundësi që nuk është sinjalizuar Policia e Shtetit më përpara.

Blendi Fevziu: Sokol Mëngjesi një avokat i njohur është goditur në mes të Tiranës. Nëse goditet një person në mes të Tiranës, cili nga ne ka siguri në qytet?

Taulant Balla: Unë i bashkohem gjithë shqetësimit lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe shpresoj që Mëngjesi ta kalojë këtë moment të rëndë. Kam komunikuar dhe me doktorët që po kujdesen. Deri të hënën mendoj se do të jetë në rrezik për jetën, nëse kalon dhe e hëna, do ta kalojë tërësisht këtë, e konsideroj të rëndë ngjarjen. Ju thatë që në Sllovaki u sulmua kryeministri po në një shesh dhe qendër qyteti. Na duhet që të parandalojmë në rastin në fjalë, sikurse ja kam thënë një prej kolegëve, do të kishte qenë mirë… Bëhet fjalë për një konflikt të vjetër, të akumuluar për të cilin me njërin nga kolegët kam thënë se si ka mundësi që nuk është sinjalizuar Policia e Shtetit, bëhet fjalë për konflikt disamujor. Kjo është një ngjarje e rëndë, por brenda disa orëve, Policia e Shtetit falë dhe informacionit të kolegëve, kemi arritur të kemi të arrestuar edhe autorin kryesor, edhe porositësin. Një ngjarje e tillë është vështirësisht e vështirë ta parandalosh nëse nuk ke sinjalizime paraprake. Qytetarët, konflikte ose rreziqe të tilla duhet t’i sinjalizojnë në kohë. Vetëm në 5-mujorin e këtij vitit falë sinjalizimit, janë parandaluar 71 ngjarje kriminale të rënda.

Blendi Fevziu: 3 persona janë ende në kërkim…

Taulant Balla: Personi kryesor që ka goditur dhe i përfshirë në organizimin e kësaj ngjarje janë të ndaluar. Persona të tjerë janë të përfshirë, njëri ka shoqëruar me makinë. Kam pasur një komunikim në mesditën e djeshme me të gjithë drejtuesit e policisë dhe e kam bërë të qartë se e djeshmja ka qenë një test i rëndësishëm për Policinë e Tiranës ku janë përfshirë të gjitha strukturat e policisë dhe po ashtu reparti RENEA. Më vjen mirë që edhe personat me “background” kriminal se kur del në rrugë RENEA, zgjedhin të dorëzohen.

Projekti “Smart City”/ Balla: Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave në Europë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla garanton qytetarët e Tiranës dhe 19 qyteteve të tjera të mëdha se shumë shpejt do të kemi një sistem të ri me kamera duke u referuar tek projekti “Smart City”.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla theksoi se Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave jo vetëm në Ballkani Perëndimor, por në Europë.

Taulant Balla: Një prej gjërave që kam konstatuar dhe që më vjen mirë që e kemi adresuar është pjesa që lidhet me monitorimin me kamera të qytetit. Dua ta them këtu që projekti i madh për “Smart City” për 20 qytetet do të na lehtësojë punë sepse nëse do të kishim një mbulim me kamera në të gjithë territorin e qytetit do ta kishim pasur shumë më të lehtë për t’i identifikuar. Falë kamerave dhe element të tjerë… Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës që ne shumë shpejt do të kemi një sistem të ri me kamera dhe pastaj kur të shkojmë te turizmi edhe të monitorimit të zhurmave. Mund të them që Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave jo vetëm në Ballkani Perëndimor, por më shumë se kaq në Europë.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim sistemin më të mirë. Sistemin e vendosjes, cilësisë së kamerave, monitorimit?

Taulant Balla: Nuk është kamera në vetëvete sekreti i suksesit, por është pjesa nga mbrapa që shoqëron kameran. Ne sot në Vlorë ne monitorojmë dhe dimë në kohë realë çdo automjet që hyn në Vlorë dhe po ashtu dimë… Kjo gjë, ne duam që të ndërtojmë një program më të madh se ky. Këtë mund ta them me bindje që “Smart City” do të na mundësojë që ne kemi mundësi ta identifikojmë në kohë reale se ku gjendet në kohë reale për shkak të këtij sistemi. Me një komandë të caktuar ti mund të identifikosh kamerën e fundit që ai ka….

“Kafaz i artë” për krimin?/“Me dhjetëra persona kërkohen në Dubai”, Taulant Balla zbulon numrin e saktë

Dubai është një nga vendet që ka marrëveshje shumë të pakta ekstradimi dhe Shqipëria është një ndër shtetet me të cilat nuk ka. Nga ana tjetër, siç u shpreh gazetari Eni Ferhati në emisionin “Opinion” në Tv Klan, në Dubai ndodhen bosët kryesorë të botës së krimit që ndërkohë janë përpjekur të vrasin njëri-tjetrin. A e bën kjo Dubain një kafaz të artë për botën e krimit? 

Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehet se janë dërguar tre marrëveshje për ekstradimin që janë në proces mes ministrive respektive të drejtësisë. Ai shton se gjatë vizitës së tij në Dubai, është treguar i hapur për të theksuar se do të bëhet çdo përpjekje për të marrë personat e përfshirë në krime të rënda, duke përdorur edhe deportimin.

Taulant Balla: Kemi çuar të tria marëveshjet sepse pjesa e ekstradimit lidhet me tre marrëveshje, njëra është për ekstradimin, njëra është për vuajtjen e dënimit dhe për çështjet e juridiksionit gjyqësor. Të tria këto marrëveshje janë në proces vajtje ardhjes mes ministrive të drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë të Emirateve të bashkuara. Politikisht, mund t’ju them dhe keni njofitmin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë të Emirateve të Bashkuara që kemi diskutuar për këtë çështje dhe kemi dëshirën për t’i përmbyllur. Tani,  shumë prej kolegëve të zotit Koka dhe zotit Ferhati mund të thonë që jemi dakord por edhe po e firmosët marrëveshjen ata nuk do e zbatojnë. T’ju them të drejtën kam pasur një bisedë shumë të hapur me ministrin e Brendshëm kur i kam thënë që shikoni kur bëhet fjalë për krime të rënda ne do ngulmojmë në çdo lloj mënyre për t’i marrë. Këtu pastaj ka edhe një moment tjetër që mund të përdorim edhe deportimin  jo ekstradim që kërkon një proces më të gjatë gjyqësor.

Mes të tjerash, ministri i Brendshëm u pyet edhe për numrin e saktë të personave me precedentë kriminalë që Shqipëria kërkon në Dubai.

Blendi Fevziu: Sa persona kemi ne që kërkohen në Dubai, me informacionet që keni ju?

Taulant Balla: Nuk e kam bërë një përmbledhje të saktë të një numri, por mund të themi që janë me dhjetëra.

Blendi Fevziu: A rrezikon që Dubai të jetë një mit dhe një pjesë e këtyre të jenë në Europë sepse keni thënë që filani është në Dubai, pastaj janë arrestuar një në Spanjë, një në Francë, një këtu e një atje?

Taulant Balla: Shumë ma kanë bërë këtë pyetje. Besoj që biem dakord që është krijuar një koncept i gabuar te pjesa e personave me background kriminal dhe që e kanë shfrytëzuar këtë në kuptimin që bëjnë një ngjarje kriminale dhe e konsiderojnë si një shpresë për t’u fshehur atje. Ajo që unë mund të them publikisht sot është që ne do të bëjmë gjithçka që ky destinacion të mos konceptohet si i tillë.

Spartak Koka: Vetëm kërkesa sepse do të jetë në vullnetin e Dubait nëse do t’i pranojë kërkesat tuaja apo jo, mund të ketë dëshirë ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë, por s’ka vullnet qeveria.

Taulant Balla: Vullneti i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme është…

Spartak Koka: Ju kanë dhënë afate?

Taulant Balla: Unë pres në javët apo muajt në vijim që ministri bin Zayed të vizitojë Shqipërinë për të vazhduar këtë dhe të gjejmë të gjitha instrumentat që jo vetëm nëse arrijmë të mbyllim marrëveshjen, por të gjejmë mundësitë që edhe pa marrëveshje, personat e akuzuar për krime të rënda, ne të kemi mundëisnë t’ia vëmë në dispozicion drejtësisë.

Numrin e saktë Balla e konfirmoi disa minuta më vonë gjatë diskutimit në “Opinion”, ku rezulton se janë identifikuar 20 persona.

Taulant Balla: Kemi identifikuar 20 persona që kemi marrë konfirmimin që janë në Dubai persona që kemi në kërkim. Shanset që në atë shtet të ketë persona të paidentifikuar që të jenë brenda kufirit të tyre janë thuajse zero se kanë një sistem shumë të mirë të hyrjes në kufi.

“1 mijë e 500 Euro në muaj për Sky apo EncroChat”, Balla: Vetëm 1 punonjës policie pranoi se kishte akses

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është shprehur se për të përdorur “Sky” apo “EncroChat” duhet paguar një tarifë prej 1 mijë e 500 Euro në muaj. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla është shprehur se vetëm 1 punonjës policie ka pranuar se ka pasur akses në këto aplikacione.

Taulant Balla: E nise me një pjesë të shkëputur nga deklaratat e Dumanit, e cila është e nxjerrë jashtë kontekstit. Dumani me të drejtë thotë se nga 2020 dhe deri në 2023, janë 69 raste të cilët kanë rënë në rrjetën e drejtësisë. Unë i kam thënë që ne duhet të ndërtojmë dhe po e ndërtojmë që në rastin kur kemi nën hetim punonjës policie, kjo gjë nuk duhet bërë, duhet bërë përmes SPAK dhe AMP. AMP ka hyrë në një fazë tjetër dhe falë mbështetjes së partnerëve. Në rast se raportimi bëhet fjalë për 4 vjet, ne kemi 65 punonjës policie për 360 ditë që janë edhe me SPAK, edhe me prokuroritë e tjera. Unë nuk e kundërshtoj që brenda Policisë së Shtetit ka pasur dhe ka punonjës policie që tradhtojnë betimin dhe uniformën e policisë. Unë kam konsideruar procesin e vetëpastrimit të policisë detyrën numër 1. Unë sapo kam marrë detyrën kam kërkuar një sondazh. 61.2% kërkonte luftë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kjo ka qenë një prej sukseseve më të mëdha.

Blendi Fevziu: A ju ka vënë SPAK në dispozicion listën e punonjësve që kanë përdorur Sky apo EncroChat?

Taulant Balla: Këto janë sekrete hetimore.

Blendi Fevziu: Kur i pyetët punonjësit e policisë, sa e pranuan që e përdornin këtë?

Taulant Balla: Vetëm 1 e pranoi se kishte përdorur.

Spartak Koka: Këto 2 punonjësit e fundit e kishin deklaruar se kishin përdorur apo jo?

Taulant Balla: Jo. Edhe sikur të dalin të pafajshëm nga Policia e Shtetit janë të përjashtuar për shkak të mosdeklarimit.

Spartak Koka: Nëse ju keni akses tek Europoli, duhet ta kishit të këtë informacion dhe ju i keni mbajtur në detyrë, të 2 janë në kërkim.

Taulant Balla: Ne nuk duhet ta kemi fare aksesin tek hetimi, atë e bëjnë prokurorët, kemi për detyrë ta mbështesim dhe i kam kërkuar që në rast se keni informacion që X punonjës policie ka pasur llogari, nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, ju lutem të na e vini në dispozicion. Të kishte një llogari të tillë, duhet të paguaje 1 mijë e 500 Euro në muaj dhe më shumë se kaq është se komuniteti në të cilën aksesoje ishte një qasje me persona kriminalë. AMP, rezultatet e deritanishme janë të mira, por janë të pamjaftueshme sa kohë që deri tani jemi në nivel shef komisariatesh, pa pasur drejtorë nuk quhet e suksesshme. Kemi ringjallur procesin e vetingut, kemi pasur shkarkime dhe dorëheqje. Në këtë proces janë të përfshirë të gjithë, pa mbështetjen e SPAK, të SHISH dhe të informcionit që vjen, e vështirë që ky proces të shkojë në këto nivele, besimplotë që do të kemi dhe drejtorë.

“Ai është një morr jo shef i madh”, Balla për zyrtarin e AMP: Ka qenë në procedim disiplinor për shkarkim

Ditën e sotme sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Tiranës arrestoi për gjobëvënie një gazetar dhe një punonjëse të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa një drejtues i Agjencisë në Drejtorinë e Përgjithshme u shpall në kërkim.

Lidhur me këtë rast në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, theksoi se zyrtari i AMP ka qenë në procedim disiplinor për shkarkim sa i takon shkeljeve të tjera. Balla tha se edhe nëse nuk do të zbardhej kjo skemë ai do të shkarkohej nga puna për shkak të shkeljeve të tjera. Ministri shprehet se ai nuk ka pasur ndonjë post të rëndësishëm në AMP duke e krahasuar atë edhe me një parazit.

Blendi Fevziu: Një zyrtar i AMP-së e përdorte informacionin për gjobëvënie…

Spartak Koka: Kaq mirë e kishim situatën me krimin sa shefat e sektorit të AMP-së luftonin drejtuesit e policisë dhe anasjelltas… Një person që ngre një strukturë të tillë dhe pastaj merrej me portale, strukturë kriminale, me përfaqësues SHISH, të AMP shefa sektori, punonjës në Durrës, paguajnë gazetarë portalesh dhe sulmojnë drejtuesit e policisë, i denigrojnë. Këta drejtues që ju i keni vendosur së fundmi edhe në garë kjo është tërrësisht e pandershme dhe e papranueshme që këta persona që paskan qenë këtu…

Taulant Balla: Brenda 24 orësh nga kallëzimi u zbulua gjithë skema dhe janë arrestuar.

Spartak Koka: Jo nuk janë arrestuar. Personi organizator është në kërkim…

Taulant Balla: Unë mendoj se kur ka disa gjëra të mira duhet t’i themi. Biem të gjithë dakord. E para është se ky personi është në kërkim sot dhe ky është lajm i mirë. Kjo është maja e ajsbergut e diçkaje që ne do të duhet të hapim një diskutim pa prekur gazetarët, fjalën e lirë. Kur kam qenë kryetar grupi kam iniciuar një projektligj që nuk u miratua sa i përket luftës ndaj lajmit të rremë dhe përgjegjësisë që duhet të mbajë çdo person. Ky personi që po flisni ka qenë në procedim disiplinor për shkarkim. Dhe sikur mos të kishte ndodhur kjo, ky do të shkarkohej për shkelje të tjera. Ky shefi jot i madh, se nuk është i madh. Është një morr aty.

Spartak Koka: Është shef sektori mo. Ka qenë në Durrës person i rëndësishëm.

Taulant Balla: Kjo është çështje kulture. Ne po flasim për një rast që është…Këtu para 48 orëve ka pasur një kallëzim dhe brenda 48 orëve është zbuluar e gjithë skema.

“Nëse do të ishit Taulant Balla i 2013-ës, kujt do t’i kërkonit dorëheqjen?”, gazetari Koka pyet ministrin e Brendshëm

Gjatë intervistës së Taulant Ballës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Spartak Koka e pyeti për përfshirjen e policisë në krim. Duke i kujtuar deklaratën e tij të vitit 2013, gazetari i drejtoi ministrit të Brendshëm pyetjes se kujt do t’i kërkonte dorëheqjen nëse do të ishte “Taulant Balla i 2013-ës”.

Spartak Koka: Nëse do të ishit Taulant Balla i 2013-ës, kujt do t’i kërkonit dorëheqjen për gjithë këta dhjetëra drejtues policie të cilët jo vetëm që drekojnë, por janë hjekës, organizatorë, bashkëpunëtorë në vrasje dhe në ndihmë të organizatave dhe grupeve kriminale më të rëndësishme në këtë vend, po flasim për dhjetëra dhe ju, Taulant Balla i 2013-ës, kujt do t;i kërkonit?

Taulant Balla: Ah sa do të doja unë që të kisha dhjetëra drejtorë të knfirmuar.

Spartak Koka: 69 i ke vetëm nga SPAK-u. Drejtori i Lezhës, ja ku e ke!

Taulant Balla: Tani më falni, s’më kishte ndodhur ndonjëherë të të kisha në debat por…

Spartak Koka: Ne po bëjmë debat që ta bëjmë edhe bashkëbisedim.

Taulant Balla: Më i larti ndër ta i evidentuar nga unë, unë flas me letra, nuk jam gazetar, jam zyrtar.

Spartak Koka: Ose më kthe përgjigje për Taulant Ballën e 2013-ës ose thuaj s’kam përgjigje.

Taulant Balla: Nuk shkon se është çështje mungese kulture

Spartak Koka: Nuk është mungesë kulture, ne po kërkojmë standardin, tani po flasim për standard.

Taulant Balla: Personi më i lartë ndër ta është vetëm ishdrejtori i njësisë operacionale.

Spartak Koka: Po drejtori i Lezhës?

Taulant Balla: Të lutem tani se po flas unë. Ju thatë dhjetëra.

Spartak Koka: 69 s’janë dhjetëra?

Balla u shpreh se ai nuk ka ndryshuar në asnjë moment. Ai tha se akuzat e atëhershme dhe të tanishme janë të njëjtat.

Taulant Balla: Taulant Balla nuk ka ndryshuar në asnjë moment. Të njëjtat akuza që kam bërë në opozitë, të njëjtat akuza i bëj edhe sot. Të gjitha ato akuza i kam vazhduar deri ën fund sepse kam bërë akuzë për kompleksin Partizani në 2011, kam depozituar të njëjtin kallëzim në 2020.  Sa i përket Policisë së Shtetit, në ditën e parë të punës kam thënë atë që kam thënë në 2013, kam thënë që merreni deklaratën time, në 15 korrik kam marrë detyrën, kam thënë e para mos më thoni mua që ka punonjës policie të painkriminuar, që pas çdo bime kanabis të pazbuluar fshihet një polic dhe pas çdo are me kanabis fshihet një shef komisariati. Ajo që thashë më dha të drejtë sepse vetëm 3 javë pasi isha në detyrë kemi kapur policë që mbronin arë me kanabis dhe shefa komisariati që ne e kërkonim një prej personave më të kërkuar në vend, G.Ç në të gjithë Shqipërinë, na lëvizte me makinën e shefit të komisariatit. E kemi arrestuar shefin e komisariatit.

Ne do të vazhdojmë. Për ne është shumë e rëndësishme që ne të krijojmë një kulturë tjetër. Unë nuk kam thënë asnjëherë, nuk gjen dot asnjë deklaratë timen që ne e kemi fituar këtë betejë, jemi vetëm në fillimin e një revanshi të shtetit  kundër krimit të organizuar. Është e vërtetë që në Tiranë ka pasur  raste kur personat që diheshin që ishin në kërkim lëviznin lirshëm dhe shkonin edhe nëpër lokalet e Tiranës, bënin presion. Një gjë e tillë nuk ndodh dhe do të kisha pasur shumë dëshirë për të folur për sezonin  turistik, e vërteta është që Shqipëria sot, Tirana sot është kryeqyteti më e sigurt se pjesa më  e madhe e kryeqyteteve europiane.

“Shqipëria do ketë ligj të Policisë që zhvesh politikën nga ndërhyrjet”, Balla: Sistemi i gradave do të ndryshojë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka shpresë se pa u mbyllur sesioni parlamentar i këtij viti, Shqipëria do të ketë një ligj të ri që zhvesh ministrin dhe politikën nga ndërhyrjet me emërime. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla ka deklaruar se do të ndryshojë sistemi i gradave në Policinë e Shtetit për të dhënë mundësi për një karrierë të bazuar në rezultate dhe performancë.

Spartak KokaDritan Metaj, të cilin e përmendët, shefin e Komisariatit të arrestuar ishte emëruar para se të merrnit ju detyrën në Mars të vitit 2023 si shef i Komisariatit të Kurbinit. Unë kam informacion se juve, një informacion i pakonfirmuar, ju ka ardhur që për emërimin e këtij personi, para se të merrnit ju detyrën, si shef i Komisariatit Kurbin, ishte paguar një vlerë prej 150-200 mijë Euro. Pas arrestimit të këtij personi, a keni mësuar se kujt i janë paguar këtë lekë për emërimin e Dritan Metajt si shef i Komisariatit të Kurbinit, i cili në deklarimin pasi u arrestua, një punë shumë e mirë e Policisë së Shtetit dhe SPAK, tha që “Gëzim Çelën e kam shok dhe normalisht do i shërbej”?

Taulant Balla: Unë mendoj që një prej problemeve 30 vjeçare të Policisë së Shtetit janë ndërhyrjet në emërim dhe prandaj brenda pak javëve me shpresë pa u mbyllur ky sesion parlamentar, më në fund Shqipëria do të ketë një ligj të Policisë së Shtetit që zhvesh ministrin dhe politikën nga ndërhyrjet me emërime. I kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të bëjmë një skaner të emërimeve. Ne do të kemi emërime që të bazohen në meritokraci dhe të një këshilli emërimesh dhe një komisoni që vlerëson karrierat dhe është i padepërtueshëm nga të gjitha ndërhyrjet. Informacionet që ju thoni, duhet t’i verifikojë SPAK dhe AMP. Unë mbështes çdolloj hetimi. Kam besim se ky ligj i ri për të cilin kemi punuar intensivisht nga Shtatori i vitit të kaluar. Konsultën e fundit e kemi bërë me kolegët spanjollë, policia e tyre vlerësohet nga më të mirat. Shqipëria kaq deri më tani një sistem gradash.

Spartak Koka: A do të ndryshojë sistemi i gradave?

Taulant Balla: Po do të ndryshojë për të dhënë mundësi një karrierë qoftë më të shpejtë, por edhe të bazuar në rezultate dhe performancë.

Nga zhurmat te menaxhimi i trafikut, Balla rendit masat që do të ndërmerren gjatë sezonit turistik

Sezoni i ri turistik është në prag dhe nisur nga numri i lartë i turistëve në vitin paraardhës, pritet që  fluksi të rritet. Por a do të ndodhë e njëjta gjë me masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e periudhës së ngarkuar?

Problemi i parë që Blendi Fevziu ngriti për ministrin e Brendshëm në emisionin “Opinion” në Tv Klan janë zhurmat. Bizneset përgjatë vijës bregdetare nuk respektojnë ligjin, tejkalojnë orarin, krijojnë mbivendosje të muzikës duke shkaktuar një ndotje akustike shqetësuese për pushuesit.

Taulant Balla: Vitin e kaluar kam konstatuar që patrullat e policisë nuk ishin të pajisura me mjetet e duhura për të bërë konstatimin e shkeljes.

Blendi Fevziu: Për të matur zhurmën?

Taulant Balla: Jo, ideja është si do e provosh sepse shumë raste shkonin në gjykatë.

Blendi Fevziu: Me pajisje direkt, e mas sa e keni zërin ju këtu në studio.

Taulant Balla: Po e pajisim Policinë e Shtetit, shpresoj që këto procedurat e marrjes në dorëzim të përmbyllen. Të gjitha patrullat e Policisë së Shtetit në të gjitha zonat turistike dhe jo vetëm, do të jenë të pajisur me këto pajisje që masin në mënyrë të menjëhershme zhurmën dhe bëjnë aktin e konstatimit të cilit i bashkëngjitet edhe akti i penalizimit. Dua t’i drejtohem të gjithë  operatorëve nga ky komunikim   publik: mos rrezikoni kot të fitoni 2 klientë më shumë sepse humbni 100 të tjerë por bindjuni afatit dhe bindjuni normës së përcaktuar.

Çështja e radhës ishte prania e forcave të policisë përgjatë territorit.

Blendi Fevziu: Do ketë zhvendosje të policisë?

Taulant Balla: 1600 forca policie nga pjesët e tjera të territorit do të sposothen.

Blendi Fevziu: Nga cilat zona?

Taulant Balla: Nga Velipoja deri në Ksamil.

Pika e radhës në diskutim ishte mbingarkimi nga trafiku. Balla tha se vitin e shkuar ka patur rreth 850 mijë automjete shqiptare dhe 2.8 milionë të huaja në qarkullim, ndërsa këtë vit shifra pritet të shkojë në 4.5 milionë. Ai e cilësoi të vështirë, por shprehu optimizëm për menaxhimin e trafikut përmes investimeve në infrastrukturë si korridori Kashar-Thumanë dhe tuneli i Llogarasë.

Taulant Balla: Presim që të kemi në rrugët e Shqipërisë me këtë ritëm diku te 4.5 milionë makina. Tani imagjinoni t’i vendosësh, sigurisht nuk janë në të njëjtën ditë, por janë gjatë gjithë vitit por me 360-3700  km rrugë kombëtare do të kesh 4.5 milionë makina është shumë e vështirë menaxhimi i trafikut. Por falë investimeve që po bëhen në infrastrukturë, falë korridoreve të reja që po krijohen, unë mund të them që korridori i ri Kashar-Thumanë do të ketë impakt të paparë sa i përket uljen e trafikut në disa prej kulmeve ose pikave të rëndësishme të krijimit të trafikut dhe hapja e tunelit të Llogarasë do të ketë një impakt të rëndësishëm.

Balla: Në 1 Korrik do të kemi një rritje të mirë të pagave për Policinë e Shtetit

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se së shpejti do të bëjnë pagesën për 6 muajt e parë të këtij viti në lidhje me ushqimin për punonjësit e policisë, teksa ka shtuar se pastaj fondi do ju vihet në dispozicion nga buxheti i shtetit muaj për muaj. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla është shprehur se më datë 1 Korrik do të kenë një rritje të mirë pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit.

Taulant Balla: Në ligjin e ri të Policisë së Shtetit do të rikthehemi tek rekrutimi në Policinë e Shtetit përmes atyre që mbarojnë Maturën?

Blendi Fevziu: Po rrogat a jua jepni tamam policiëve apo jo?

Taulant Balla: Kemi bërë një zgjidhje sa i takon një pagese që i takon dhe me ligj, por që nuk e merrnin që është pagesa e ushqimit. Lajmi i mirë është që me aktin normativ që do të kalojmë së shpejti, do të bëjmë pagesën për 6 muajt e parë të këtij viti dhe pastaj muaj për muaj nga ky fond që do të na vihet në dispozicion nga buxheti i shtetit. Po ashtu, lajmi i mirë është që në 1 Korrik do të kemi një rritje të mirë të pagave, ndoshta jo dhe aq sa do të kisha dëshiruar, por megjithatë e mirë. Nëse bëhet bashkë rritja e pagës së bashku me ushqimin do të jetë një rrije substanciale. Nuk po e them shifrën sepse dua ta ruaj surprizë.

A ka kërkuar Balla llogari për ngjarjet kriminale të pazbardhura nga Policia që përmenden në dosjen e SPAK?

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë bisedës në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan u ndal edhe tek ngjarjet kriminale të cilat akoma nuk janë zbardhur.

I pyetur nga gazetari Spartak Koka se çfarë do të bëhet me këto ngjarje dhe a është kërkuar llogari tek personat përgjegjës, Balla u shpreh se ai sa herë shkon në analizat në drejtoritë vendore paraqet të gjitha dosjet e ngjarjeve

Spartak Koka: Zoti Balla në tre operacionet e SPAK që nga Korriku i vitit të kaluar për SKY ECC përplasja e grupeve kriminale përmend aty shumë ngjarje dhe mesa kuptojmë në pjesën më të madhe të këtyre grupeve që përplasen dhe ngjarjeve të ndodhura policia gjatë këtyre viteve ka qenë pothuajse inekzistente dhe po ju përmend disa ngjarje dhe doja t’iu pyesja çfarë do të bëni ju? A ju keni kërkuar llogari këtyre drejtuesve që i keni gjetur për këto ngjarje?

Blendi Fevziu: Cilat ngjarje, mi përmend ngjarjet më mirë.

Spartak Koka: Vrasja e Kastriot Reçit, tentative për vrasjen e Preng Gjinit, tentativa për vrasjen e Plaurent Dervishit, vrasje e Edison Harizajt, tentativa për vrasjen e Emiljano Shullazit, vrasje e Gazmend Çollakut, vrasja e Brilant Martinajt dhe dy shokëve të tij, vrasja e Gentjan Bejtjas, banakieres së Don Boskos, e Aleksandër Ndokës në Lezhë. E gjithë saga e vrasjeve në Rrëshen është e pazbuluar prandaj jemi aty ku jemi ku ka bashkëpunuar policia e asaj kohe. Tentativa e vrasjes së Durim Bamit te Ura e Tapizës, vrasja e Santiago Malkos, rrëmbimi i Enver Stafukës, plagosja e vëllezërve Mumajesi në Kinostudio dhe vrasje e Gjin Ndojit, Ilias Çalit, e janë të gjithë këto personazhe që përplasen me njëri-tjetrin dhe policia…  

Blendi Fevziu: Tani që një pjesë prej këtyre janë zbardhur nga përgjimet a i keni kërkuar policisë llogari se përse nuk ka pasur asnjë informacion.

Taulant Balla: E para është që në atë dosje ka shumë punë të kryer nga Policia e Shtetit. Mos e harro asnjëherë zoti Fevziu që edhe për shkak të vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që ka rregulluar mënyrën e përdorjes si provë të komunikimeve është që në rast se komunikimet në këto dy aplikacione nuk përputhen me prova të tjera hetimore ato komunikime nuk vlejnë. Po ju marr dosjen “Metamorfoza” që është një dosje e kompletuar. Nëse i hidhni një sy dosjes komunikimet nuk do të kishin asnjë vlerë nëse falë punës së policisë dhe prokurorisë Shkodër për hetime të mëparshme ato nuk do të ishin ndërlidhur. Kështu që në këtë aspekt unë sa herë shkoj në të gjitha analizat në të gjitha drejtoritë, shkoj me një dosje për të gjitha dosjet e vjetra të pazbuluara në atë drejtori vendore.

Taulant Balla: Rezultatet flasin vetë. Vrasjet po pakësohen dhe grupet kriminale po pakësohen. Biem të gjithë dakord që jemi në një moment revanshi dhe unë besoj dhe shpresoj që në javët në vijim prokurorët të finalizojnë edhe dosje të tjera të rëndësishme hetimore me informacionet që kanë dhe me ato që po vijnë.

Përse Blendi Fevziu u lidh live me 112 në prani të Taulant Ballës?

“Safe stay in Albania” është logoja e publikuar nga Ministria e Brendshme që shoqërohet edhe me një barkod.  I pyetur rreth saj në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Taulant Balla shpjegoi se është një certifikatë sigurie për turistët, ndërsa barkodi i lidh menjëherë me 112. ‘I tunduar’, Blendi Fevziu e teston vetë barkodin por rezultati s’ishte ai që pritej.

Taulant Balla: Ky është logoja e një apeli ose një mesazhi për të huajt, por jo vetëm, edhe për qytetarët shqiptarë, njëfarë mënyre certifikata e faktit që Shqipëria është sot një prej destinacioneve turistike më të sigurta në Europë.

Blendi Fevziu: Ta provoj unë këtu?

Taulant Balla: Ajo, në vend të vendosnim një numër, kemi vendosur një barkod i cili ju lidh me 112  për çdo lloj nevoje që mund të kesh.

Blendi Fevziu: Ja po e bëj unë këtu. E bëra barkodin, më jep 112.

Taulant Balla: Bjeri tani.

Blendi Fevziu: Ça t’i them? Jam mirë?

Taulant Balla: Jam Blendi Fevziu, kam nevojë të mbyll emisionin.

Blendi Fevziu: Ta bëj njëherë provë.

Numri rezulton jo korrekt. “I shqetësuar”, ministri Balla e provon vetë dhe rezulton i saktë.

Balla: Projekt rreth 40 mln Euro për pajisjen e 61 bashkive me makinat e duhura zjarrfikëse

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla është shprehur se brenda një kohe të shkrutër do të kenë gati një projekt të madh, rreth 40 milionë Euro financim për të pajisur 61 bashkitë e vendit me makinat e duhura zjarrfikëse.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ministri Balla ka deklaruar se kanë vendosur një sistem të të gjitha rekrutimeve që bëhen në shërbimin zjarrfikës.

Taulant Balla: Kemi vendosur një sistem të të gjitha rekrutimeve që bëhen në shërbimin zjarrfikës dhe ndërkohë që kemi vendosur dhe sistemin e gradave dhe po i marrim në Akademinë e Sigurisë për t’i trajnuar. Problemi më i madh që ka pasur shërbimi zjarrfikës dhe që ende e kemi është pajisja me infrastrukturën e nevojshme dhe që mund ta them që jemi në një fazë të mirë komunikimi me Bankën Botërore dhe me plot donatorë të tjerë me të cilët kemi filluar… Falë mbështetjes së kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe Bankës Botërore, besoj se në një kohë të shkurtër do të kemi gati një projekt të madh, rreth 40 mln Euro për të pajisur 61 bashkitë me makinat e duhura zjarrfikëse.

“Dua drejtorë departamenti! Kjo më kënaq mua!”/Kujt i ‘kërkon’ dorëheqjen nga radhët e policisë Balla i 2013-ës

Gjatë një diskutimi në studion e “Opinion” në Tv Klan mes Taulant Ballës e Spartak Kokës, ky i fundit pyeti ministrin e Brendshëm se kujt do t’i kërkonte dorëheqjen nëse do të ishte Balla i 2013-ës.  Gazetari i përmendi punonjës dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit të përfshirë në organizata e grupe kriminale, por Balla u shpreh se “do të donte të kishte dhjetëra drejtorë të konfirmuar”.

Spartak Koka: Nëse do të ishit Taulant Balla i 2013-ës, kujt do t’i kërkonit dorëheqjen për gjithë këta dhjetëra drejtues policie të cilët jo vetëm që drekojnë, por janë hjekës, organizatorë, bashkëpunëtorë në vrasje dhe në ndihmë të organizatave dhe grupeve kriminale më të rëndësishme në këtë vend, po flasim për dhjetëra dhe ju, Taulant Balla i 2013-ës, kujt do t’i kërkonit?

Taulant Balla: Ah sa do të doja unë që të kisha dhjetëra drejtorë të konfirmuar.

Spartak Koka: 69 i ke vetëm nga SPAK-u. Drejtori i Lezhës, ja ku e ke!

Taulant Balla: Tani më falni, s’më kishte ndodhur ndonjëherë të të kisha në debat por…

Spartak Koka: Ne po bëjmë debat që ta bëjmë edhe bashkëbisedim.

Taulant Balla: Më i larti ndër ta i evidentuar nga unë, unë flas me letra, nuk jam gazetar, jam zyrtar.

Spartak Koka: Ose më kthe përgjigje për Taulant Ballën e 2013-ës ose thuaj s’kam përgjigje.

Taulant Balla: Nuk shkon se është çështje mungese kulture.

Spartak Koka: Nuk është mungesë kulture, ne po kërkojmë standardin, tani po flasim për standard.

Taulant Balla: Personi më i lartë ndër ta është vetëm ish-drejtori i njësisë operacionale.

Spartak Koka: Po drejtori i Lezhës?

Taulant Balla: Të lutem tani se po flas unë. Ju thatë dhjetëra.

Spartak Koka: 69 s’janë dhjetëra?

Taulant Balla: Unë kam në kulturë që nuk  e përballoj dot zhurmën. Ti ke ardhur të bësh zhurmë, bëje, por nuk e bën dot me mua. Tani, kur flet ti kam ndërprerë ndonjëherë?

Spartak Koka: Po.

Taulant Balla: Asnjëherë.

Spartak Koka: Disa herë.

Taulant Balla: Mirë dakord, fol ti, kur të mbarosh ti, flas unë.

Spartak Koka: Flasim me fakte se nuk po flasim me zhurmë.

Taulant Balla: Ti bën vetëm zhurmë. A the dhjetëra drejtorë, unë flas kur…

Spartak Koka: Drejtues policie, shef komisariati a është drejtues policie? Shefi i krimit të organizuar të Lezhës, shefi i vrasjeve në Elbasan është drejtues i lartë policie?

Taulant Balla: Unë dua drejtorë departamenti! Dua drejtorë drejtorie! Kjo më kënaq mua!

/tvklan.al