Sonte një emision special për të mbledhur ndihma (ushqime) për të moshuarit, të sëmurët, fëmijët dhe familjet më të prekura nga kjo situatë.

I ftuar në studio Arbër Hajdari.

Alketa në ndihmë të familjeve në nevojë: Më kontaktoni

Mbrëmja e sotme në “Opinion” i është dedikuar mbledhjes së ndihmave në ushqime për të gjitha familjet në nevojë, të cilat situata e koronavirusit i ka gjunjëzuar edhe më tepër.

Në një lidhje live në emision, Alekta Vejsiu u shpreh e gatshme për të ndihmuar familje që janë në vështirësi, duke kërkuar që ta kontaktojnë në rrjetet e saj sociale.

Po  ashtu moderatorja e njohur tha se prej disa ditësh kanë nisur pako ndihme për disa familje që kanë vështirësi në nevojat bazike.

Ndërkaq ajo i është drejtuar institucioneve përkatëse të Shëndetësisë, për të prodhuar maska për të plotësuar nevojat e stafit mjekësor por jo vetëm, duke marrë direktivat e nevojshme për cilësinë që duhet të kenë apo copën që duhet përdorur.

Një thirrje ajo ia ka drejtuar të gjithë pronarëve të banesave apo bizneseve që i kanë lënë me qira, që të kontribuojnë duke mos u kërkuar këstin mujor qiramarrësve.

Apeli drithërues i 77-vjeçares me dy vajza të sëmura

Mbrëmja e sotme në “Opinion” i është dedikuar mbledhjes së ndihmave në ushqime në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe”, për të gjitha familjet në nevojë, të cilat situata e koronavirusit i ka gjunjëzuar edhe më tepër.

Një rast tepër i rëndë është ai i Sadete Karabollit nga Durrësi, 77-vjeçare me dy vajza të sëmura e cila kërkon ndihmë.

Nuk vjen njeri, janë ditë të vështira,  kërkoj ndihmë me një asistente me pagesë që të më ndihmojë, se nuk jam në gjendje…tregon ajo duke qarë.

“Prisha dy pantallona dhe bëra një  maskë, skam maska… po e ruaj veten se jam e vjetër dhe kam frikë mos më ze, të mbaj shpirtin gjallë për gocat. Kam tre ditë që ha përshesh me fasule edhe unë edhe gocat… skam me çfarë të ushqehem. Trembem kur vjen pronari po si pata lekët, më thotë dua qiranë ose merr plaçkat e ik. Aq më tepër që është sëmundja nëpër këmbë, do vdesim nëpër rrugë”.

Pas publikimit të rastit në “Opinion”, janë ofruar disa persona për ta ndihmuar këtë familje që ka kaq shumë nevojë.

Agron Shehaj dhuron 2 respiratorë për spitalin “Shefqet Ndroqi” 

Ish-deputeti Agron Shehaj i ftuar në “Opinion” këtë mbrëmje në një nismë për bamirësi për familjet në nevojë në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe”, dha një lajm shumë të mirë.

Shehaj njoftoi se ka porositur 2 respirator për spitalin “Shefqet Nroqi” në Tiranë.

“Kam porositur 2 respiratorë për spitalin Shefqet Ndroqi”,  pasi pyeta se për çfarë kanë nevojë, shpresoj që të vijnë sa më shpejt”.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që dëshirojnë të kontribuojnë për blerje të respiratorëve, të cilët kanë një kosto të lartë, që të behën bashkë dhe të shtojnë numrin  e tyre për spitalin. /tvklan.al