Të ftuar: Artan Hoxha, Spartak Koka, Julian Kasapi, Eno Zeneli dhe Altin Qato.
Aksidenti në mes të Tiranës, i afërmi i të lënduarve: Gjëja e parë që kërkoi Vilma kur reagoi në spital ishte fëmija
Arjan dhe Vilma Konomi mbetën të plagosur si pasojë e aksidentit të rëndë që ndodhi të dielën në Rrugën e Kavajës në Tiranë. I afërmi i tyre, Elvis Toçi, ka treguar për emisionin “Opinion” detaje në lidhje me situatën shëndetësore të dy të lënduarve, të cilët në momentin e ngjarjes ishin duke lëvizur edhe me foshnjen e tyre që fatmirësisht shpëtoi pa lëndime. Ai tha se Vilma ka reaguar mëngjesin e sotëm dhe gjëja e parë që ka kërkuar ka qenë fëmija.
“Falë mjekëve mund ta them me bindje sot mund ta them me bindje që janë rikuperuar dhe kanë dalë jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë nuk jam unë që duhet ta them. Pas 48 orësh, sidomos Vilma ka pasur goditje dhe dëmtime serioze në kokë. Arjani ka thyer 7 brinjë, legeni është i dëmtuar. Nuk duhet të lëvizin. Për fat sot spitali ushtarak i futi në një dhomë. Vilma dje nuk reagonte, sot në mëngjes ka reaguar. kjo është gjë shumë e mirë sepse të jesh koshient, gjëja e parë kërkoi fëmijën”, tha Toçi.
I afërmi tha se ata janë dy njerëz të thjeshtë. Ata ishin bërë me fëmijë vetëm pak muaj më parë.
“Ata po gëzonin në një ditë pushimi. Arjani punon në Ministri të Arsimit, Vilma është doktoreshë në Vorë, është pediatre. Nuk ka ç’të thuash. Çdo njeri normal që sheh atë video ndihet i irrituar”, u shpreh Toçi.
Aksidenti në rrugën e “Kavajës”, Koka: Ajas Sulejmani mori vajzën e tij në krahë dhe u largua në këmbë
Gazetari Spartak Koka ka treguar detaje në lidhje me ngjarjen e së dielës në Tiranë ku një çift me fëmijën e tyre disa muajsh u përplasën nga një makinë teksa po kalonin rrugën.
Koka tha se shoferi i makinës, Ajas Sulejmani, ka pasur në mjet edhe vajzën e tij të mitur. Ai u shpreh se në një video që ka parë sot, Sulejmani e ka marrë vajzën dhe është larguar në anën tjetër të rrugës në këmbë. Ndërkohë mbetet për t’u verifikuar se si ai ka shkuar në një spital privat të Tiranës, aty ku edhe u kap.
“Ajas Sulejmani ka qenë edhe në praninë e vajzës së tij të mitur. Unë kam parë sot një video në të cilën Ajas Sulejmani pas aksidentit e merr vajzën të cilën e kishte në pjesën e pasme të makinës. E merr në krahë se edhe vajza e tij ishte e tronditur nga aksidenti dhe ka ikur nga makina dhe është larguar në anën tjetër të rrugës. Ka ikur në këmbë. Nga rruga kryesore te video që unë kam parë ai është larguar në këmbë. Pjesën tjetër, se si ka arritur te Spitali Hygeia, kjo mbetet për t’u verifikuar. Thonë se ka qenë një i afërm i tij që e ka marrë dhe e ka çuar te Spitali Hygeia”, tha gazetari.
Ajas Sulejmani ka gjoba të shumta nga policia për disa shkelje të ndryshme që nga viti 2017 e deri në vitin 2022.
“Është një person që në 5 vjet të paktën siç më rezulton nga sistemi ka 8 gjoba nga viti 2017-2022, për mos ndryshim pronësie fillimisht, ka në vitin 2021 për mungesë të respektimit të semafori, për mungesë të respektimit të sinjalistikës në 2019, për shpejtësi në 2019, për xhama të zinj në 2018, për dritat në 2017. Këto janë pak a shumë gjobat që ka marrë. Hera e fundit është ndaluar te Komuna e Parisit, ai kishte parkuar te stacioni i autobusit. Në bashkëpunim me policinë bashkiake, fillimisht i është vendosur bllokuesja, pasi ka paguar gjobën e bashkisë është shoqëruar automjeti për të verifikuar pronësinë dhe për shkakun se ishte me targa të huaja. Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se automjeti është në pronësi të një shtetasi gjerman Franc Becker, i cili i ka dhënë autorizim për përdorimin e automjetit. Makina pas tre ditësh, pasi është mbajtur në pikën e ruajtjes së automjeteve i është rikthyer sërish zotit Ajas Sulejmani”, tha gazetari Koka.
Kreu i Policisë Rrugore heq çdo dyshim: Ajas Sulejmani ishte nën efektin e drogës
Drejtori i Policisë Rrugore, Altin Qato e konsideron ngjarje shumë të rëndë aksidentin e ndodhur të dielën në Tiranë, ku mbetën të plagosur një çift bashkëshortësh teksa po kalonin në vizat e bardha me fëmijën e tyre 3 muajsh.
Ai po ashtu heq çdo dyshim për faktin se Ajas Sulejmani, drejtuesi i mjetit që i aksidentoi, ishte nën efektin e lëndëve narkotike.
Altin Qato: Jemi para një ngjarje shumë të rëndë. Është shumë e rëndë për shkak të rrethanave me persona të dëmtuar statusi që kanë dy familjarë, një fëmijë i mitur. Në pozicionin që ka ndodhur kjo ngjarje në një pozicion ku ka semafor që e ndalon kalimin e mjetit, ka vija të bardha dhe kishte këmbësor. Pra është një ngjarje e rëndë për këto specifika të dëmtuarit dhe pozicionit.
Pyetje: Ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike?
Altin Qato: Ne kemi një procedurë standarde që në çdo rast që ka ngjarje rrugore oficerët e policisë rrugore kanë detyrimin absolut që të bëjnë testin e përdorimit të alkoolit. Nëse na rezulton se nuk ka përdorim të alkoolit, ka detyrim të bëjë testin e përdorimit të narkotikëve. Kemi një flotë të konsiderueshme të pajisjeve alkooltestuese, nuk kemi pasur pajisje drogëtestuese, të cilat janë futur kohët e fundit.
Pyetje: Përdorimi i kanabisit dhe i këtyre drogave e shpërqendron drejtuesin e mjetit?
Altin Qato: Normalisht ndikon. Testi i alkoolit ka dalë negativ, nuk ka përdorur alkool, testi i drogës ka dalë pozitiv. Të garantoj se është bërë edhe testi i urinës dhe i gjakut për të bërë veprimet e tjera të ekspertimit.
Dalin pamjet kur Ajas Sulejmani largohet me vajzën në krah pasi përplasi çiftin
Në studion e emisionit “Opinion” u publikua këtë të hënë momenti kur Ajas Sulejmani largohet me vajzën në krahë pak çaste pasi përplasi me makinë tek vizat e bardha çiftin e bashkëshortëve dhe fëmijën e tyre 3 muajsh.
39-vjeçari ecën i qetë ndërsa në dorë duket se ka telefonin.
Sulejmani, i cili ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe në makinë kishte edhe vajzën e tij të vogël u largua nga vendi i ngjarjes, që ndodhi të dielën në rrugën e Kavajës në Tiranë. Ai shkoi në një spital privat ku dhe u arrestua pak kohë më vonë.
Çifti i bashkëshortëve Konomi mbetën të plagosur rëndë dhe aktualisht janë në spital nën kujdesin e mjekëve./tvklan.al