#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Glidona Daci, Ivi Kaso, Preç Zogaj, Eni Ferhati, Artan Hoxha

Sali Berisha, ish- kryeministri i vendit, ish-president, kryetar i Partisë Demokratike është thirrur sot në SPAK për t’iu lexuar aktakuza. Ai është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe çështja do t’i kalojë gjykatës. Ka qenë dalja e parë nga banesa e Berishës që prej dhjetorit të vitit të kaluar. Disa mijëra simpatizantë u mblodhën përpara Prokurorisë së Posaçme por edhe përpara banesës së tij për të shoqëruar rrugëtimin e tij të shkurtër për t’u njohur me akuzën. Akuza është rreth 500 faqe, vendimi për marrjen si i pandehur dhe njoftimin e akuzës. Berisha mbërrriti, mbajti një fjalë përpara mëbshtetësve, njohja me akuzën ishte e shkurtër por aktualisht sot, ish-kryeministri i vendit, ish-presidenti, kryetari i Partisë Demokratike është marrë i pandehur dhe është nën akuzë.

Gazetarët: Mund të ketë lehtësim të masës së sigurisë për Berishën

SPAK mbylli hetimet dhe i komunikoi sot Sali Berishës akuzat dhe e mori zyrtarisht të pandehur për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Që prej Dhjetorit 2023, Sali Berisha qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Por gazetarët e kronikës së zezë, Eni Ferhati dhe Glidona Daci, thanë në emisionin Opinion në Tv Klan se mund të ketë një lehtësim të masës së sigurisë ndaj Berishës për shkak se tashmë nuk ekziston më rreziku i prishjes së provave pasi hetimi ka përfunduar dhe pritet të nisë gjykimi.

Gazetari Eni Ferhati: Një nga alibitë që ka përdorur SPAK për të mos zëvendësuar masën ka qenë që z.Berisha mund të ndikojë te dëshmitarët dhe të prishë provat. Në këtë moment tashmë që hetimet kanë përfunduar, mund të kemi lehtësim të pozitës proceduriale penale. Z.Berisha do jetë në një përballje me drejtësinë dhe nga ana tjetër në fushatë elektorale.

Gazetarja Glidona Daci: Në raste të tilla kur kemi funksionarë të tillë të kalibrit të z.Berisha, gjykata do t’i caktojë një masë duke ku do zhvillojë procesin pa praninë e z.Berisha dhe duke e hetuar në gjendje të lirë. Ne presim një masë të tillë.

Juristi Daci tregon sa mund të zgjasë procesi gjyqësor ndaj Berishës

“Procesi gjyqësor ndaj Sali Berishës vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë mund të zgjasë minimumi 1 vit”, kështu është shprehur juristi Jordan Daci.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Daci ka thënë se Berisha mund t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë së komunikuar nga SPAK, atë të “korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë”.

Blendi Fevziu: A mund t’i drejtohet gjykatës për të ndryshuar akuzën ndaj tij?

Jordan DaciSigurisht që mund t’i drejtohet. Gjyqtari i seancës paraprake pasi njihet me cilësinë e materialit dhe me dosjen që do të ketë përpara është i aftë të gjykojë nëse do të vazhdojë apo jo masa. Madje e ka për detyrë që edhe pa e kërkuar pala, ta vlerësojë vetë nëse duhet të vijojë ose të ndryshojë masën.

Jam i sigurtë që mbrojtja e Berishës pretendon pafajësi dhe detyrimisht janë të detyruar të futen me gjykim të zakonshëm. Një proces si ky me këtë ngarkesë që ka qoftë edhe pjesën politike, duke pasur parasysh edhe futjen e dëshmitarëve, do të zgjasë minimumi 1 vit vetëm në Shkallë të Parë.

Deri në Apel mund të marrë vite për të marrë formë të prerë. Afatet në GJKKO janë më të shkurtra se në gjykata të tjera. Skenari ideal do të ishte 1 vit.

Berisha nën akuzë nga SPAK, Ivi Kaso: Akuza korrupsion pasiv në bashkëpunim, gafë ligjore

Ish-Kryeministrit Sali Berisha i është komunikuar ditën e sotme akuza e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për të folur lidhur me këtë ngjarje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ishte i ftuar juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso i cili u shpreh se me ndryshimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave kanë përfituar mbi 400 mijë shqiptarë. Kaso u shpreh se “nuk ka budalla që mund të besojë që Sali Berisha ka ngritur një infrastrukturë të tërë ligjore nga e cila mund të përfitonte dhëndri i vet 410 metra katrorë tokë.”

Ndër të tjera Kaso e quan një gafë ligjore faktin që ish-Kryeministri është akuzuar për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi që nuk ka mbajtur asnjëhere funksion publik.

Ivi Kaso: Akuza kryesore është ajo e korrupsionit pasiv. Akuzohet shtetasi Sali Berisha se duke përfituar nga funksioni i tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë ka miratuar ligj ose akte nën ligjore si ajo e kthimit dhe të kompensimit të pronave…

Blendi Fevziu: Mirë por ndërimi i ligjit është bërë nga Parlamenti dhe Parlamenti i ka sovrane vendimet e tij.

Ivi Kaso: Sigurisht që është bërë nga Parlamenti. Jo vetëm kaq, por mbi të gjitha jetëzimi i një projekti politik dhe problemi politik me të cilin Partia Demokratike erdhi në pushtet, ajo për të bërë të mundur rikthimin e plotë të pronave te pronarët. Premtim ky elektoral u mbajt nga Sali Berisha që i hapi rrugën një procesi nga të cilët kanë përfituar mbi 400 mijë shqiptarë dhe nuk ka budalla që mund të besojë që Sali Berisha ka ngritur një infrastrukturë të tërë ligjore nga e cila mund të përfitonte dhëndri i vet 410 metra katrorë si një fragment i vogël i pronës të njërës nga familjet… SPAK pretendon që Sali Berisha e ka krijuar këtë infrastrukturë jo për të përfituar vetë, por për të përfituar në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezin. Se thuhet korrupsion pasiv në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi që nuk ka mbajtur asnjëhere funksion publik dhe nga këtu fillon gafa ligjore sepse nuk mund të akuzohet në bashkëpunim me një person tjetër që nuk ka qenë funksionar dhe e gjitha kjo për të përfituar Jamarbër Malltezi 410 metra katrorë si trashëgimtar në një të tetën pjesë i familjes Begeja në një nga shumë pronat e kësaj familje

Firmosi Berisha apo Rama për ish-kompleksin Partizani? Gazetarët përplasen me juristin e PD

Sali Berisha u mor sot zyrtarisht i pandehur nga SPAK në lidhje me hetimin për privatimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” dhe iu komunikuan akuzat.

Në dosjen 500-faqëshe të SPAK, evidentohet edhe vendimi për ndryshimin e destinacionit për ndërtim, ku del firma e Edi Ramës si kryetar i KRRT-së së Tiranës në atë kohë në cilësinë e kryebashkiakut.

Juristi i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, e konsideron falsifikim nga ana e SPAK këtë dokument, që sipas tij mban firmën e Ramës por përgjegjësia penale i është atribuuar ish-Kryeministrit Berisha.

“Çështja e ndryshimit të destinacionit fillon në datë 16.5.2006 pa kërkesën e pronarëve nga Këshilli Teknik i KRRT-së Tiranës. KRRT e Tiranës në atë kohë drejtohej nga Edi Rama. Ky vendim ndryshon destinacionin e kësaj zone duke e kthyer në një zonë banimi. SPAK cilëson Berishën si drejtues të KRRT së Tiranës, nuk thotë i KRRTRSH-së. Herën e parë te materiali 200-faqësh i gjykatës mund të cilësohej lapsus. I përsëritur sot pas 1 viti, sigurisht nuk është lapsus, është falsifikim i pastër”, thotë Ivi Kaso.  

Por ndryshe mendojnë gazetarët Eni Ferhati dhe Glidona Daci. Eni Ferhati ka hedhur poshtë këtë pretendim të Ivi Kasos, duke thënë se vendimi përfundimtar, që evidentohet gjithashtu në dosjen e SPAK, është dhënë nga Sali Berisha në cilësinë e kreut të KRRTRSH -së si Kryeministër në atë kohë dhe në këtë mënyrë ka hyrë në fuqi.

SPAK thotë ndryshe, që kur janë firmosur kontratat noteriale qoftë për përfaqësimin e tagrave nga z.Malltezi qoftë nga kompania HomePlan, i premtohej familjeve pretenduese të pronave që do merrej përsipër edhe ndryshimi i destinacionit të pronës. Pika e fundit e këtij dokumenti që ju prezantuat thotë ky vendim hyn në fuqi pas miratimit nga KRRTRSH-ja qëndrore që drejtohej nga z.Berisha. Ky vendim është i Qershorit 2006, 3 muaj më vonë ky vendim në fuqi dhe nga z.Berisha në Nëntor. Pika 4 thotë ky vendim hyn në fuqi kur miratohet nga KRRTRSH-ja. Pse nuk e refuzoi?”, shprehet gazetari Eni Ferhati.

“Berisha të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë”, Zogaj analizon pozitën e ish-kryeministrit

Preç Zogaj mendon se marrja e Berishës nga SPAK si i pandehur nuk do ta pengojë ish-kryeministrin në fushatën si kryetar i PD. Në vijim të argumentit të tij të shprehur në “Opinion” në Tv Klan, Zogaj shtoi se Berisha mund të vijojë mbrojtjen e tij normale.

Gjithashtu tha se SPAK është pala akuzuese, por me sulmin drejt institucionit, Berisha delegjitimon aksionin e SPAK. Sipas Zogajt, Berisha duhet të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë dhe të përfitojë politikisht nëse gjykata vendos në favor të tij.

Preç Zogaj: Unë mendoj se jo, s’duhet ta pengojë, nuk e di sepse këtu ka një kompleks hetimesh, nuk është se është vetëm kjo. Mendoj se jo se këtu meqenëse kanë pushuar arsyet e mbajtjes së Berishës në gjendjen e arrestit shtëpiak, unë besoj logjikisht se nuk flas dot si jurist, se ai duhet lejuar që të paraqitet në gjykatë kur gjykata e thërret.

Blendi Fevziu: Të ushtrojë aktivitetin normal, të përditshëm të tij.

Preç Zogaj: Shembull për t’u ndjekur në të gjitha aspektet, jo vetëm në këtë aspekt, kemi në Amerikë. Ish-presidenti Trump është i akuzuar, ka 4 akuza por është në garë sepse gjykata, drejtësia ka afatet e veta, nuk hyn drejtësia në garë me politikën. Afatet e saj janë edhe më të gjata, zgjasin, politika ka edhe kalendare,  zgjedhjet i përgjigjen një kalendari. Ngjarja politike është që jemi në kushtet normale të funksionimit të shtetit ligjor ku askush s’është mbi ligjin. Pas 30 vjetësh kemi akuza për zv/kryeministra, kemi dënime për ministra, kemi një akuzë për ish-kryeministrin, në rastin konkret sot për Berishën, që nga koha e Fatos Nanos nuk kemi pasur pothuajse. Unë mendoj që duke qenë Berisha për shumë vite president, kryeministër, një figurë që ka shënuar në funksione të larta shtetërore historinë e demokracisë, pra duke qenë i tillë, ai ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në vendosjen e pandëshkueshmërisë në vend, në Shqipëri dhe nga kjo pikëpamje ai duhet të japë shembullin meqenëse ka qenë protagonist i epokës së pandëshkueshmërisë, duhet të japë shembullin e respektit ndaj drejtësisë. Mbrojtja është tjetër gjë, sigurisht është në të drejtën e vet që të rrëzojë të gjitha akuzat, por kam frikë se duke e përdorur rastin e vet në një kriter absolut të denigrimit të SPAK-ut me një fjalor të papranueshëm, dashje pa dashje, Sali Berisha po merr përsipër që të thuash të bëhet mbrojtësi i gjithë kastës politike të korruptuar që ose janë nën hetim ose presin të hetohen. Mendoj se ka nevojë për më shumë qetësi dhe për një mbrojtje efikase dhe në qoftë se gjykata do të konkludojë që akuzat ndaj tij janë të padrejta, ai të përfitojë politikisht atë që nuk do të kishte përfituar në qoftë se nuk do t’i kishin ndodhur këto ngjarje

“SPAK hetim pasuror të Berishës”, Gazetari: Pagesat që nuk u justifikuan nga të ardhurat e kreut të PD

“SPAK ka hetuar edhe pasurinë e Berishës”, kështu është shprehur gazetari Eni Ferhati, i cili ka evidentuar dhe 3 raste shpenzimesh për kreun e PD-së, të cilat sipas SPAK nuk justifikohen.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Ferhati thotë se akuza që SPAK i ka komunikuar Berishës bazohet në dokumenta dhe jo në dëshmi të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në dosje.

Glidona DaciSPAK pretendon se shtetasi nën hetim, Sali Berisha ka përfituar avanatazhe të drejtpërdrejta, jo vetëm ndërmjet shfrytëzimit të pasurive të familjes Malltezi, por ai ka përfituar dhe financim nga shoqëria “Home Plan sh.p.k” në kuadër të fushatës zgjedhore të vitit 2013 nëpërmjet pagesave që janë kryer për akomodimin dhe udhëtimin e një këngëtari të ftuar prej tij. Sipas verifikimeve, Berisha ka përfituar nga pasuritë e Malltezit.

Blendi Fevziu: A ka bisedë të drejtpërdrejtë të Berishës, a ka ndonjë provë, ndonjë dëshmitar që ka thënë se Berisha i ka kërkuar favor? Pra të jetë i përfshirë drejtpërdrejtë?

Glidona Daci: Për favore, jo.

Eni Ferhati: Ministrat kanë thënë që kanë vepruar në bazë të ligjit. Në dijeninë time nuk ka. Akuzat janë bazuar mbi dokumentat. SPAK thotë se Berisha ka ruajtur një profil të ulët gjatë jetës zyrtare duke mos shfaqur pasurim të shpejtë. Nuk ka individ që të drejtojë gishtin mbi Berishën.

Artan Hoxha: Edi Ramën a e kanë pyetur pse e kanë lëshuar atë vendim të 2006-ës?

Glidona DaciJo nuk e kanë pyetur.

Artan Hoxha: Nga dokumenti që kemi parë në fillimin e Tetorit të vitit të kaluar, me dokumentin e sotëm, a ka ndonjë gjë ndryshe, të re që ka ndonjë lloj peshe që nuk e kemi lexuar para një viti?

Glidona Daci: Ne nuk e kemi parë akoma të plotë sepse është një material prej 500 faqesh. Hetimi ka qenë i gjerë, ka pasur dhe verifikim të pasurisë të Berishës dhe të familjarëve të tij dhe janë të fokusuar vetëm në akuzën e korrupsionit për Berishën pasi pretendohet se ka përfituar në mënyrë të tërthortë nga pasuritë e dhëndrit.

Eni Ferhati: Për pjesën e pasurisë, SPAK-u, po jap vetëm 3 elementë që kam arritur të siguroj nga dosja, të ardhurat e Berishës, nga e gjithë kjo histori është evidentuar një pagesë që Berisha ka bërë së fundmi, pas shpalljes non grata. Një pagesë disa mijëra Euro për të siguruar avokatin ku Berisha të hapë procesin gjyqësor në Paris ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Blinken. Kjo pagesë nuk justifikohet nga të ardhurat që ka Berisha. Sipas SPAK, ja kanë paguar lidhjet e tyre familjare. Pjesë e hetimit ka qenë edhe Fondacioni i zonjës Liri Berisha. Është gjithashtu edhe një pagesë në formë donacioni po nga njerëzit e afërt të Berishës që është bërë për fondacionin. Janë gjithashtu edhe shpenzime për shërbime shëndetësore të familjes Berisha të pajustifikueshme, thotë SPAK, që vijnë nga vepra penale e korrupsionit dhe nga përfitimi i gjithë kësaj.

Akuzat ndaj Berishës, Artan Hoxha: E drejta do të kërkohet në Strasburg

Analisti Artan Hoxha shprehet se çështja e ish-Kryeministrit Sali Berisha do të shkojë në gjykatën e Strasburgut. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hoxha thotë se drejtësia do të kërkohet në Strasburg edhe pse përmendi faktin që Gjykata Kushtetuese mund edhe të japë ndonjë vendim mbi çështjen. Ndër të tjera analisti u shpreh se procesi gjyqësor do të zgjasë gjatë.

Artan Hoxha: Ka kaluar pothuajse një vit nga momenti kur për Sali Berishën u kërkua heqja e imunitetit në Parlament. Pothuajse jemi pas një viti dhe ajo çfarë lexohet sot nga Prokuroria nuk ka ndonjë ndryshim nga ajo e para një viti.  Janë shtuar vetëm faqet dhe thelbi i akuzës mbetet se Sali Berisha ka ndryshuar ligje për të favorizuar dhëndrin. Akuza e SPAK ndaj Sali Berishës për rrjedhoë edhe ndaj Jamarbër Malltezit  arrin nivelet e absurdit.

Gjithsesi qëllimi ka qenë i shtyrë nga interesa politike shqiptare dhe jo shqiptare dhe këtë e kemi komentuar në një vit. Ne do të kemi mundësinë tashmë që kalojmë nga faza monokratike e hetimit të SPAK në zyrat e veta ku bën çfarë të duash që i çon këto dokumenta dhe i injoron dhe nuk i reflekton për të thenë ore filan dokumenti nuk bën….Do vijmë në gjykatë për tu hapur letrat, por kemi parasysh që këtu beteja nuk do të jetë për t’i mbushur mendjen gjykatësve. Këtu ju flitet shqiptarëve me opinionin publik, sepse ata gjyqtarët e GJKKO me 90% e kanë marrë urdhrin se çfarë do të bëjnë dhe nëse do të kërkojmë drejtësinë njerëzore të drejtë ma merr mendja që do ta kërkojmë në Strasburg.

Kam një lloj shprese të vakët që ndoshta Gjykata Kushtetuese po t’i qëndrojë arsyetimeve të veta mund të japi ndonjë vendim, por përfundimisht e drejta do të kërkohet në Strasburg. Procesi gjyqësor do të zgjasë dhe po thuhet se erdhi momenti që meqënëse SPAK e mbylli hetimin Sali Berisha logjikisht kanë rënë të gjitha arsyet përse të mbahet në arrest shtëpie. Por kur ka pasur arsye që të bijen arsyet

/tvklan.al