Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan diskutohen vendimet e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump. Vendimet e tij duket se po krijojnë një çoroditje të plotë pothuajse në të gjithë globin. Pas probleme kryesore që ai kishte me fqinjët e tij Meksikën dhe Kanadanë, apo dhe çështja e Groenlandës duket se një sërë vendimesh të tjera kanë tronditur vëmendjen në të gjithë politikën botërore. Ndër tre problemet më kryesore është deklarata e tij më e fundit që SHBA të marrë kontrollin e Gazës, pasi ajo të zbrazet nga palestinezët që sipas tij mund të kalojnë në Jordani ose në Egjipt. Problemi i dytë mbetet ai i emigrantëve i cili mbetet shumë i prekshëm për SHBA-të. Një tjetër vendim mjaft shokues ishte bllokimi i të gjitha ndihmave amerikane në botë.
Të ftuar: Anxhela Faber, Gerta Zaimi, Redi Shehu, Sokol Nako, Fitim Zekthi, Xhevahir Qardaku. Në Skype: Menada Zaimi
Propozimi i Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, Shehu: Nuk e bëri as ushtria më mizore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, doli të martën me një propozim sipas të cilit palestinezët do të zhvendosen nga Rripi i Gazës duke i hapur në këtë mënyrë mundësinë SHBA-së që të administrojë territorin e ta zhvillojë ekonomikisht atë.
Por kjo deklaratë e tij, e bërë krah kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tronditi botën dhe ka nxitur shumë kritika. Për këto deklarata të Donald Trump u diskutua edhe në emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Analisti Redi Shehu u shpreh se kjo ide është e parealizueshme. Sipas tij, largimin e palestinezëve nuk e ka bërë dot as ushtria izraelite, të cilën e konsideron si më mizoren duke theksuar se palestinezët e kanë deklaruar se “do të vdesin” në vendin e tyre.
“Edhe sikur të duan ta realizojnë është e parealizueshme për shkak se çfarë ka bërë ushtria izraelite ndaj popullit të Gazës nuk besoj që do ketë ushtri në botë që do ta bëjë. Pse? Sepse ata nuk do dalin. Çfarë do bësh? Edhe sikur të hapësh të gjitha dyert, nuk do largohen ata. Ata e kanë të qartë. Ata thonë ne do vdesim këtu, e kanë deklaruar bile. Do vdesim këtu. Çfarë do bësh? Do shkosh me ushtri t’i marrësh zvarrë. Nuk e bën dot ushtria më mizore siç është kjo, si ka për ta bërë ushtria amerikane. Si? Do dalin vetë ata? Ata thonë do rrimë aty”, tha Shehu.
Ndërkohë gazetarja Gerta Zaimi u shpreh se nuk bëhet fjalë që Trump të dërgojë ushtrinë pasi “ka kujtimin e Afganistanit dhe Vietnamit”.
Nga ana tjetër, gazetari Blendi Fevziu u shpreh se e vetmja mundësi që ushtria amerikane të zbresë në Gaza është vetëm nëse zbrazet vendi.
“Nuk zbrazet ushtria amerikane në Gaza. S’ka logjikë. Ideja është që [palestinezët] të largohen nga aty, por territorin të mos e marri Izraeli, por ta administrojë SHBA”, tha Fevziu.
“Ai e sheh normale marrjen e territorit”, çfarë po “bluan” Trump sipas analistit
Një sërë propozimesh e urdhrash ekzekutivë me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Pikërisht për këtë u diskutua mbrëmjen e sotme në studion e “Opinion”. Duke u ndalur specifikisht te propozimi për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza, analisti Fitim Zekthi tha se “me gjithë mënyrën si po qeveris, Trump po shpërbën një rend politik bazik ndërkombëtar”.
“Sepse që pas Luftës së Dytë Botërore, bota i harroi dhe doli nga koncepti i marrjes së territoreve. E ka bërë Rusia para dy vitesh me Ukrainën dhe e gjitha bota u shokua. Doli nga ideja perandorake që ne zgjerohemi me tokë, ra kjo puna pas ’45-ës. Nuk merret territori tjetrit me forcë, nuk ekziston fare kjo gjë në politologjinë dhe mendimin sociolitik ndërkombëtar. E ka rikthyer Donald Trump!”, tha Zekthi.
Sipas Zekthit, Kreu i Shtëpisë së Bardhë “e konsideron normale marrjen e territorit të një vendi tjetër”. “Ka shkatërruar parashikueshmërinë”, theksoi analisti.
Nga sa më sipër, analisti gjykon se Trump ka për synim të zhdukë konfliktin në Gaza, duke larguar popullin. Metodë kjo në fakt që daton dekada më parë…
Kujtojmë se Donald Trump propozoi fillimisht që rreth 1.8 milion palestinezë të largoheshin nga toka e tyre për në vende të tjera të Lindjes, gjë që u refuzua nga udhëheqësit e Egjiptit dhe Jordanisë. Më tej, me vizitën e Benjamin Netanyahut në SHBA, përforcoi idenë e tij, duke thënë se më e mira për popullin e Palestinës do të ishte që Amerika të administronte territorin e saj.
/tvklan.al