Opozita hedh poshtë të gjitha akuzat që kryeministri Fatos Nano bëri një ditë më parë ndaj ambasadorëve të Shqipërisë në shtetet e huaja. Sipas sekretarit për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Demokratike Besnik Mustafaj, përpjekjet individuale të një apo më shumë ambasadorëve nuk mund të rregullojnë imazhin e Shqipërisë nëse varfëria mbretëron në vend apo në një moment kur lulëzon krimi dhe korrupsioni.
Besnik Mustafaj: “Unë dua t’i siguroj kolegët ambasadorë se e kuptoj pamundësinë e tyre për të mbrojtur një kryeministër i cili pranon dhuratë një benz të blinduar. Unë e kuptoj gjithashtu pamundësinë e ambasadorëve për të mbrojtur një qeveri të treguar me gisht, si qeveri e lidhur me krimin e organizuar, si qeveri e lidhur me korrupsionin dhe me trafiqet e ndryshme të cilat përbëjnë njollën më të madhe për Shqipërinë.”
Për të njëjtën çështje reagoi edhe Partia Demokrate e Re. Sips tyre, kryeministri u përpoq t’u thoshte shqiptarëve se në vendin e tyre gjithçka është mirë ndërsa fajësonte shërbimin diplomatik të cilin ai vetë e ka emëruar. /tvklan.al