Teksa në Kuvend mbahet mes debatesh seanca plenare, përfaqësues të opozitës po zhvillojnë protestë që prej orës 10:00. Protesta është thirrur nga përfaqësues të opozitës pas publikimit të emisionit të televizionit italian Rai 3 për Shqipërinë. Për këtë të fundit, deputetët demokratë kanë kërkuar mocion me debat, gjë që nuk është pranuar për t’u futur në rendin e ditës.
Ora 11:25 – Hidhen tymuese në drejtim të forcave të rendit
Teksa tentojnë prej disa minutash të çajnë kordonin e policisë, protestuesit kanë hedhur tymuese drejt forcave të policisë.
Pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme, deri në këto momente nuk ka pasur rezultate pasi forcat e rendit nuk kanë lejuar asnjë nga protestuesit që të hyjnë në oborrin e Parlamentit.
Përveç tymuesve drejt forcave të rendit janë hedhur shkopinj, vezë, dhe fruta të ndryshme. Kjo ka sjellë reagimin e policisë, të cilët u janë përgjigjur protestuesve me spraj me spec djegës.
Ora 10:45 – Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e sigurisë, përplasen me forcat e rendit
Protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë teksa janë ndeshur me forcat e rendit. Teksa gomat vijojnë të digjen, protestuesit kanë hedhur tymuese në drejtim të uniformave blu. Ndërkohë, automjeti ujëhedhës është në gatishmëri për çdo situatë.
Ora 10:30 – Protestuesit hedhin sende të forta në drejtim të policisë dhe djegin goma
Pas rreth 30 minutash protestë, protestuesit kanë hedhur sende të forta në drejtim të policisë. Ndërkohë, protestuesit kanë djegur një grumbull me goma në këtë tubim duke krijuar “re tymi” para Parlamentit.
Ora 10:00 – Nis protesta e opozitës
Ka nisur protesta e opozitës para Parlamentit. Me flamuj në duar dhe me pankarta, protetsuesit kërkojnë mocion me debat në seancë plenare për investigimin e Rai 3.
/tvklan.al