Parlamenti është përfshirë nga tensionet në seancën e kësaj të enjteje (6 Qershor 2024) teksa deputetët e PD kërkojnë përfshirjen e Sali Berishës në grupin parlamentar. Kërkesa u refuzua nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla me argumentimin se Berisha është përjashtuar me vendim partie dhe nuk mund të futet me vendim grupi. Kërkesa e dytë që iu refezua opozitës ishte kërkesa për mocion me debat për lidhjen krim i organizuar-politika. Ndërkohë, jashtë Parlamentit, opozita ka organizuar protestë.


Ora 11:47 – Flamur Noka shtyn punonjësin e Gardës, i heq mikrofonin deputetit të PS Nasip Naço


Ora 11:39 – Rifillon Parlamenti, opozita vijon të mbajë të bllokuar foltoren. Kryeparlamentarja Nikolla: Të tërheq vëmendjen për bllokim të foltores


Ora 11:19 – Kryeparlamentarja Nikolla ndërpret seancën plenare 5 minuta për herë të tretë


Ora 11:17 – Shumica socialiste rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat për krimin e organizuar, pas investigimit të transmetuar nga televizioni italian Rai3. Deputetët e opozitës bllokojnë foltoren.


Ora 11:05 – Rifillon seanca plenare, flet kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi. Kërkon mocione me debat pas denoncimeve të televizionit italian Rai3

Gazment Bardhi: Znj.Nikolla nuk e di kush ka vendosur që të tallet me ju që keni firmosur këtë shkresë që më keni sjellë dje pasdite, por unë jam i detyruar që aq qesharake sa ç’është kjo përmbajtje, edhe pse ndjehem i turpëruar që firmosni argumente të këtij niveli, jam i detyruar të informoj opinionin publik. Qytetarë, ajo që kryetarja e Kuvendit ka vendosur të bëjë me mocionin për debat të kërkuar nga grupi parlamentar i PD nuk është thjesht shkelje e Kushtetutës, por pjesë e një filozofie që e ka shpallur luftën ndaj krimit të organizuar si jashtë fushës së veprimtarisë të Këshillit të Ministrave! Kjo është përgjigjia që unë kam marrë nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë! Më thotë se “çështja e parashtruar nga ju”, pra lufta ndaj krimit të organizuar, është një çështje që nuk bën pjesë në fushën e veprimtarisë së Këshillit të Ministrave!!!

Dhe argumenti i dytë që më ka dhënë Kryetarja e Kuvendit është se në kërkesën për mocion, më thotë ke shkelur etikën. Se këta e dinë që Edi Rama është i lidhur me krimin, se unë nuk e kam përmendur këtu, po këta e dinë se përfaqësuesi i krimit të organizuar në Shqipëri është Edi Rama. Dhe më thotë “ke cënuar integritetin, personalitetin e figurës kushtetuese të Kryeministrit!”

Këto janë dy argumente që ju zonja kryetare më  keni sjellë me shkrim, kur në fakt kërkesa jonë ka të bëjë me shqetësim real që kanë qytetarët. Ju e thoni në kafe, po nuk keni guxim ta thoni këtu. Edhe ju e dini që Edi Rama ka caktuar, po po, ju kolegë këtu, që ulni kokën tani, ju e dini shumë mirë që Edi Rama ka caktuar një përfaqësues për të mbajtur marrëdhëniet mes tij dhe krimit të organizuar! Nuk e dini?!

Po a nuk jeni ju që pëshpërisni njëlloj si Arben Ahmetaj nëpër kafet e Kuvendit dhe në çdo kafe të Tiranës që po, shtetasi Ergys Agasi është koordinatori i posaçëm i Edi Ramës me krimin e organizuar.


Ora 10:47 – Deputeti i PD Flamur Noka përjashtohet nga seanca plenare. 5 minuta pushim

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Z.Noka jeni i përjashtuar nga seanca për gjuhë të pahijshme që përdorni. Po kërcënon kryetaren e Kuvendit? Turp të kesh, të të vijë zor nga vetja, je dhe burrë malësor, je i përjashtuar nga seanca.


Ora 10:35 – Rifillon seanca plenare, merr fjalën deputeti i PD Flamur Noka

Deputeti Flamur Noka: Kushtetuta dhe rregullorja do respektohet. Ai ka thënë që vetëm Zahon e mbron. Mos kujto se ti do shpëtosh sepse ti po shkell Kushtetutën. E përsëris që je përfaqësuese dinjitoze e narkoshtetit, je dhe fytyra e turpit e këtij parlamenti dhe do hysh në histori si e tillë. Sali Berishën askush nuk e ndalon dot të jetë deputet përsa kohë është në listën e PD si deputet i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 dhe përsa kohë grupi parlamentar ka përcjellë një listë ku janë gjithë deputetët. Asnjë autoritet nuk ke ti mbi këtë grup parlamentar. Grupi parlamentar dhe PD janë sovran në vendimet e tij dhe nuk të pyesin as ty dhe as kreun e narkoregjimit.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla: Kush ka dalë me vendim partie nuk mund të futet me vendim grupi.


Seanca plenare nisi me tensione këtë të enjte, mes kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe deputetëve të opozitës.

Këta të fundit i kërkuan Nikollës të lexojë siç i janë dërguar njoftimet e opozitës. Pakica kërkon futjen e Sali Berishës në grupin parlamentar të PD, ndërkohë që Lindita Nikolla e refuzoi.

Në këto kushte, deputetët e PD u ngritën në këmbë dhe bllokuan foltoren. Mes Lindita Nikollës dhe Flamur Nokës pati tension verbal.

Lindita Nikolla: Uluni në vend Noka, nuk më trysnon dot. Të të vijë turp për fjalët që përdor. Të tërheq vërejtje për fjalët që përdor. Uluni në vend dhe pastaj do ju jap fjalën. Uluni në vend. Ti je përfaqësues i një non grate. Uluni në vend që të ju jap fjalën dhe të vazhdojmë me qetësi. Uluni në vend që të vijojmë me qetësi seancën plenare.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u detyrua të ndërpriste seancën për 5 minuta.

Ndërkohë që jashtë Parlamentit opozita po proteston. Protesta e opozitës vjen pas publikimit të investigimit të dytë të televizionit italian Rai3, për të cilin deputetët e pakicës kërkojnë mocion me debat në Parlament, kërkesë që nuk është futur në seancën e sotme.


Bylykbashi-Nikollës: Berisha duhet të jetë pjesë e grupit të PD, vendimi juaj është antikushtetues

Mes debatesh ka nisur punimet seanca plenare e ditës së sotme. Teksa kryeparlamentarja Nikolla ka lexuar njoftimet e grupit parlamentar të PD-së, deputetët demokratë e kanë kundërshtuar duke i thënë se nuk ka lexuar të plotë njoftimet ku theksohet futja e Sali Berishës në grupin e PD-së.

Gjithashtu, grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar të zhvillojë mocion me debat në parlament, gjë që nuk është pranuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila ka thënë se nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit.

Lindita Nikolla: Kemi njoftim nga PD që në mbledhjen e grupit parlamentar është vendosur njoftimi i seancën plenare, ku janë bërë ndryshime. Kërkesë nga kreu i grupit parlamentar të PD-së për zhvillimin e një mocioni me debat. Kam argumentuar mospranimin, nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores së Kuvendit. Çështja i shtohet Kuvendit, vendos me votim të hapur dhe pa debat.

Gazment Bardhi: Kur lexon njoftimet e grupit të PD-së, lexoji nga fillimi deri në fund. Në përputhje me nenin, ajo shkresë e dorëzuar nga ana jonë, ka edhe një pikë tjetër ku thuhet se ju keni për detyrë ta reflektoni atë kërkesë që ka bërë grupi i PD-së dhe nuk mund të lexoni njoftimet tona sipas dëshirës tuaj. Lexohen ashtu si janë dërguar. LEXO MË SHUMË




Më poshtë, rendi i ditës i seancës plenare (6 Qershor 2024):


/tvklan.al