Para mbledhjes së drejtuesve të qarqeve, kryesocialisti Edi Rama gjeti kohën t’u përgjigjej komentuesve që e kritikon për gjuhën e përdorur ndaj opozitës.
“Po çfarë meriton atëherë opozita, e dashur Flora, a ma thoni dot? Opozita që tre vakte në ditë merret me të gjithë librin e shtëpisë time, me këdo i del përpara, me mua po e po. Nuk besoj se është opozitë që iu përfaqëson juve dhe familjen tuaj”, tha Edi Rama.
Sipas Ramës, opozita ka hedhur baltë brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe nuk meriton të votohet.
“Libri i shtëpisë time iu duket një program i mirë për ekonominë, për punësimin, për bujqësinë, arsimin. Pasi kanë hedhur vetëm baltë, brenda dhe jashtë Shqipërisë për Shqipërinë nga këneta e tyre dhe kanë bërë çmos ta pengojnë këtë vend, tani duan edhe votën, prandaj do merrem pak edhe me ta, apo jo? Po ama, me shqipen e mësuesve të mi, të Nolit, të Konicës dhe Fishtës dhe asnjëherë kurrë me baltë dhe me shpifje”, tha Rama.
Ndërkohë që për kreun e opozitës Sali Berisha tha se nuk ka vizon, po ashtu dhe partititë e reja opozitare.
“Buf stërplak e ka kthyer opozitën në një kor zhabash e bretkosash, ditë e natë. Për dreq, ajo kënetë ka krijuar dhe ca pellgje opozitash të reja që nuk kanë asgjë të rej përveçse moshës së pronarëve të tyre që të gjithë imitojnë bufin stërplak”, tha Rama.
Në prag të zgjedhjeve të 11 Majit partitë politike i kanë dhënë një rëndësi të veçantë votës së diasporës.
Klan News