Optimizëm edhe në kampin çek. Trajneri Ivan Hasek ka zbuluar listën me të grumbulluarit për dy sfidat e radhës, mes të cilëve ajo kundër Shqipërisë. Para mediave, Hasek pranoi se do synojnë ruajtjen e kreut të grupit.
Ivan Hasek, trajneri i Çekisë: Ne duam të vazhdojmë me tre ndeshjet e fundit, të cilat ishin të suksesshme si në aspektin e rezultateve ashtu edhe në lojë. Situata në grup është zhvilluar në atë mënyrë që të katër skuadrat vazhdojnë të luftojnë për pikë. Do të bëjmë maksimumin që të gëzohemi në fund. Në tetor tifozët na krijuan një atmosferë të mrekullueshme ndaj Shqipërisë, tani do të jetë e ngjashme. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj! Si dhe të gjithë ata që do jenë në Tiranë për të na parë. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i bërë tifozët krenarë për ekipin.
Republika Çeke kryeson grupin B1 në Ligën e Kombeve me 7 pikë, ndërsa kuqezinjtë të tretët me 6 pikë. Takimi luhet të shtunën e ardhshme më 16 nëntor në stadiumin kombëtar “Air Albania”.
Klan News