Starmer mirëpriti Volodymyr Zelenskyn në Downing Street, ku ata nënshkruan një marrëveshje të re prej 2.26 miliardë Paund furnizime ushtarake për Ukrainën pas takimit të tensionuar të Presidentit ukrainas me Donald Trump në Zyrën Ovale të premten.
Në një postim më të gjatë, Zelenskyy tha se me Starmer “diskutuan sfidat me të cilat përballet Ukraina dhe e gjithë Europa, koordinimi me partnerët, hapat konkretë për të forcuar pozicionin e Ukrainës dhe përfundimi i luftës me një paqe të drejtë, së bashku me garancitë e sigurisë”. Huaja prej 2.26 miliardë Paund do të “rrisë aftësitë mbrojtëse të Ukrainës” dhe “do të paguhet duke përdorur të ardhurat nga asetet e ngrira ruse”.
Starmer do të presë një samit të liderëve europianë dhe kanadezë në Londër këtë të dielë si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë. Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte dhe ministri i Jashtëm i Turqisë Hakan Fidan do të marrin pjesë gjithashtu. Më pas Presidenti ukrainas Zelensky do të takohet me mbretin Charles.
Në një deklaratë të lëshuar mbrëmë përpara samitit, Keir tha se Britania do të dyfishojë angazhimin për të ofruar kapacitet, trajnim dhe ndihmë për Ukrainën. Sipas tij Europa duhet të bashkohet për të intesifikuar përpjekjet për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe nga ana tjetër për të mbrojtur sigurinë europiane.
Ndërsa Amerika ka marrë rolin e ndërmjetësit për një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, Keir Starmer dëshiron që Evropa të jetë e gatshme të udhëheqë përpjekjet paqeruajtëse nëse arrihet një marrëveshje. Samiti në Londër është raundi i fundit i takimeve europiane të nivelit të lartë në përgjigje të qasjes së re të Washingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Në krye të axhendës do të jetë rritja e aftësive mbrojtëse të Europës si dhe kërkimi i garancive të sigurisë për Ukrainën si pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.
Klan News