Presidenti francez Emanuel Makron propozon armëpushim të pjesshëm 1-mujor në Ukrainë për t’i hapur rrugë nisjes së bisedimeve të paqes në këtë vend.

Në një intervistë për të përditshmen franceze Le Figaro pas samitit të së dielës në Londër, shefi i Elizesë tha se propozimi është pjesë e një plani të përbashkët me Kryeministrin britanik Keir Starmer.

“Shpresojmë të arrijmë një armëpushim një mujor në ajër, det dhe infrastrukturë energjetike. E mira e këtij armë pushimi është se mund të kontrollohet. Ndërprerja e armiqësive, si fillim nuk do të kishte të bënte me luftën tokësore. sepse në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se vija e frontit respektohet”.

Megjithatë, mediat britanike shkruajnë se burime pranë qeverisë së këtij vendi e kanë mohuar që të ketë patur diskutime mes Presidentit francez Emanuel Makron dhe Kryeministrit britanik Keir Starmer për një plan të tillë.

Në samitin e të dielës në Londër ku morën pjesë liderët e disa vendeve të Bashkimit Europian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe kryediplomati i Turqisë, u ra dakord që Presidentit amerikan Donald Trump t’i paraqitej një plan paqeje që garanton sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, ndërsa u theksua se paqe në këtë vend nuk mund të ketë pa u marrë parasysh interesat e këtij vendi.

Tv Klan