Trajneri i tretë për bardheblutë në këtë sezon
Orges Shehi u prezantua të mërkurën si trajneri i ri i Tiranës, i treti për këtë sezon. Shehi zëvendësoi Nevil Deden, i cili u largua para ndeshjes me Laçin. Orges Shehi është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka në këtë moment.
“Në këtë profesion jam koshient që rezultatet të mbajnë në punë. Unë do të jem me dëshirën e madhe edhe sikur të jem gjithë jetën, por edhe kur sikur të iki nesër”.
Kjo është një tjetër aventurë për Orges Shehin, i cili ka drejtuar më parë Skënderbeun dhe Kukësin. Synimi mbetet që skuadra të ngjisë shkallët njëra pas tjetrës për të rikuperuar diferencën prej 16 pikësh me Vllazninë. Presidenti i Tiranës, Refik Halili tha se do të bashkëpunojë me këshillat e tij.
“Mendoj se kam zgjedhur një trajner të duhur. Nëse sugjerojmë diçka nuk është ndonjë gjë e keqe, sugjerimet nuk mungojnë asnjëherë. Shpresoj që mos t’i bëj dëm trajnerit në vazhdimësi”.
Largimi i Nevil Dedes rreth 2 muaj pas emërimit u tha se erdhi pas ndërhyrjes që iu bë në formacion. Tirana e nisi kampionatin me Emanuel Egbo, i cili dha kontributin në fitimin e titullit pas 11 vitesh.
Tv Klan