Rrëzimi i dy shtyllave të tensionit të lartë të linjave që transmetojnë energji nga Komani dhe Vau i Dejës në nënstacionet e Elbasanit dhe Tiranës, rrezikonte black out total në të gjithë Shqipërinë për disa ditë me rradhë. Drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, institucioni përgjegjës për transmetimin e energjisë dhe mirëmbajtjes së linjave, sqaron se riparimi i tyre do të kishte patur kosto të lartë dhe do të kërkonte kohë.
Shpërthimi mendohet se ka patur si qëllim dëmtimin e plotë të dy linjave që aktualisht transmetojnë sasinë më të madhe të energjisë pasi hidrocentrali i Fierzës punon në kapacitet më të ulët si pasojë e thatësirës.
Ndërsa hetimet vijojnë, OST-ja hedh poshtë të paktën një prej pistave të mundshme të hetimit, atë të konfliktit mes këtij institucioni dhe pronarëve të tokave ku janë vendosur shtyllat.
Sulmet me eksploziv ndaj shtyllave të tensionit të lartë nuk janë të pakta. Në të gjithë vendin janë afro 1000 shtylla të tilla dhe për të parandaluar dëmtimet e qëllimshme nga individë të veçantë, OST-ja po shqyrton mundësinë e instalimit të elementëve të sigurisë si kamera apo paisje të tjera në linjat kryesore të vendit./tvklan.al