Historia e mësuese Verës tregon sesi dashuria dhe përkushtimi kapërcejnë çdo vështirësi. Vera Pjetri, mësuesja 52-vjeçare nga Vau i Dejës ndan historinë e saj në programin “Rudina” në Tv Klan. Ajo e ka nisur profesionin që prej vitit 1990 dhe pavarësisht sfidave të forta, pasioni për mësuesinë nuk i është zbehur kurrë.
Pjetri ishte 18 vjeçe kur nisi të jepte mësim në lëndën e Matematikës në një fshat të thellë të Pukës e pas martese, u zhvendos në një tjetër fshat ku vazhdoi për 15 vite në ciklin 9-vjeçar.
“Vështirësitë e rrugës ishin problematikë sepse udhëtimi ishte pak kohë me makinë, pastaj në këmbë. Aty ishte pjesë malore, një orë e gjysmë, dy që udhëtoja në këmbë. Borë, shi, në kushte nga më të ndryshmet. Vështirësi tjetër ishte sepse atje gjeja fëmijët përsëri që kishin ardhur nga shtëpitë e tyre, të ftohtë, të lagur dhe aty ishte ndezja e një stufe në ato kushte atëherë, me dru dhe përshtatja e ambientit, duke pritur njëherë të ngrohej fëmija pastaj të kalonte procesi mësimor.
Një ndër ditët që mbaj mend, në pjesën e rrugës ishte komplet akull dhe deri kur arritëm atje, shumë, shumë e frikshme. Në vitet e para nuk kishte tabelë fare, edhe dritare nuk kishte fare. Dritaret i mbulonim me plastmasë, kurse për tabelë përdornim derën, mbyllnim derën e klasës dhe shkruanim te dera e klasës”, rrëfen mësuesja ndërsa kujton vështirësitë përgjatë profesionit.
Me shumë emocione, Vera ndau edhe historinë e dashurisë me bashkëshortin e saj që kishte po të njëjtin profesion. Ata punuan bashkë për disa vite në të njëjtën shkollë, por që zgjatën pak. Bashkëshorti ndërroi jetë papritur duke lënë pas Verën dhe tre fëmijët.
“Ato vite ishin vitet që do të mbahen në kujtesë gjithmonë”, shprehet ajo mes lotësh./tvklan.al