Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Partia Aleanca Demokratike, vendosi sot në mbledhjen e asamblesë kombëtare të vazhdojë të qëndrojë në koalicionin e majtë dhe të hyjë në zgjedhjet parlamentare së bashku me të. Presidenti i partisë Neritan Ceka dhe Preç Zogaj paraqitën një rezolutë në të cilën kërkonin largimin nga koalicioni Aleanca për Shtetin dhe mundësitë për marrëveshje me grupime të tjera. Për këtë qëllim debati ka qenë tepër i nxehtë. Kryetari ekzekutiv i PAD, Arben Imami, ka kundërshtuar ashpër daljen nga koalicioni.

Arben Imami, Kryetar i PAD:- “Është vendi t’i bërë një thirrje zotit Ceka, që të mos veprojë në kundërshtim me statutin e partisë, i cili kërkon, që si kreu i partisë të jetë njeriu që unifikon partinë dhe jo që e çanë partinë”.

Pas mbledhjes Imami dhe Ceka deklaruan.

Arben Imami, Kryetar i PAD:- “Propozonjësit e rezolutës u tërhoqën”.

Neritan Ceka:- “Kur u pa qartë që nuk kishte një vullnet për të diskutuar qetësisht, kishte tensione, paqartësi edhe hezitime, unë mendoj që vendi im është të mos i hap rrugë një ndarje në parti”.

Më pas krerët e Aleancës Demokratike, në një konferencë për shtyp dhanë rezultatet e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego