Në prezantimin e Planit të Motivimit të Administratës Publike, pjesë e sfidës së Shqipërisë 2030 për anëtarësimin në BE dhe rritjes cilësore të aftësive të shtetit në shërbim të qytetarëve, ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i vendit Edi Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se në Qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave, periudhë në të cilën do të arrihet objektivi që paga mesatare në sektorin publik të jetë 900 Euro.
Edi Rama: Në Qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë rritje në pagën e tyre dhe do të arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik të jetë 900 Euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik do të jetë 900 Euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni. Paga e radhës do të jetë paga e rritur dhe është një rritje e konsiderueshmë. Është një rritje domethënëse për një periudhë kohe.
Na duhet të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm që marrin pension nën 150 Euro. Të gjithë na thonë që tek pensionet të bëjmë kujdes sepse është një peshë shumë e rëndë dhe zonja që mori vlerësimin në administrimin e financave e di shumë mirë se për çfarë po flas. Besoj se do të hedhim një hap edhe në atë drejtim.
Kryeministri Rama ka theksuar se brenda 5 vitesh do të zgjidhet problemi për punonjësit e administratës publike që punojnë në zyra me qira.
Edi Rama: Kemi një pjesë të madhe të administratës në zyra me qira, ca këtej e ca andej për shkak të mungesës së hapësirave. Kemi filluar një proces për jetëzimin e infrastrukturës që kemi në dispozcion dhe pronave që kemi në dispozicion për të garantuar që një periudhë 5-vjeçare pjesën më të madhe të këtij problemi ta zgjidhim. Ata që punojnë në zyra të marra me qira, të kenë mundësi të punojnë në mjedise që e shprehin vetë fizikisht vlerësimin për punën që kanë aty.
/tvklan.al