Zyrat e aplikimit në të gjithë vendin raportojnë se numri i personave pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende për të marrë letërnjoftimin elektronik është në shifra mjaft të ulëta.

Ky numër justifikohet me faktin se pjesa dërrmuese e tyre ndodhen si emigrant jashtë vendit ose janë në listat e dubluara të Ministrisë së Brendshme.

Ndryshe nga sa pritej skadimi i datës 18 Qershor si afat i fundit për aplikimin e personave pa pasaportë nuk ka sjellë dyndje në sportelet e njësive vendore.

Në Shkodër vijon me ritme të kënaqshme numri I atyre që tërheqin letërnjoftimet e reja.

“Sa patën vonesën këta, asgjë tjetër. Vonesa e këtyre se ne si mbas atyre datave…”.

“Tash sot mora letrën për me e marr mbas dy javëve, kurse kartën e kam marrë para një muaji”.

Në Elbasan fluksi ne sportelet e aplikimit nuk ka qenë i lartë, ndërkohë që shqetësim mbeten kartat e pa tërhequra të cilat në rang qarku numërohen në 49 mijë.

“Po aplikoj për pasaportë biometrike sepse kartën e identitetit e kam nxjerrë.”

“Para tre muajve, mandej erdha nga Gjermania edhe i mora shumë mirë”.

Pas Durrësit, qarku i Korçës ka deri më tani numrin më të lartë të personave pa pasaportë që kanë mbetur pa aplikuar. Këta shtetas numërohen në 10 mijë.

Koço Bello: “Letërnjoftime të pashpërndara në të gjithë prefekturën e Korçës janë akoma deri në ditën e djeshme 21 mijë e 884. Me këtë rast unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë qytetarëve. Marrja e kartave të identitetit është një detyrim ligjor dhe ne duhet të jemi të përgatitur që në zgjedhjet e 28 Qershorit të shkojmë me karta identiteti”.

Shqetësim mbetet indiferenca e qytetarëve për të tërhequr kartat e identitetit.  Numrin më të madh të letërnjoftimeve të patërhequra e ka qarku i Elbasanit me 49 mijë të tilla, menjëherë mbas tij vijnë qarku i Korçës me 21 mijë dhe qarku i Dibrës me 14 mijë./tvklan.al